Telegrafi

Shpresat tek bujqësia

Qeveria e Kosovës i ka sivjet shpresat se rritja ekonomike dhe punësimi do të ndodhë falë investimeve në bujqësi. Në vitet e kaluara kjo kishte ndodhur. Ishin shtuar vende pune ne këtë sektor dhe kishte ndihmuar në rritjen e prodhimit vendor dhe rrjedhimit në rritje ekonomike. Edhe Banka Botërore e ka thënë se bujqësia është ajo që po e mbanë rritjen ekonomike në vend.

Sivjet ka edhe më shumë buxhet në këtë sektor. Janë 43 milionë që do të ndahen për fermerët në grante dhe subvencione. Aktualisht po bëhet vlerësimi i projekteve.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi thotë se pritjet janë pozitive. “Ne kemi hartuar një program dhe kemi një buxhet që garanton rritje të mëtejmë të prodhimit dhe punësimit. Kjo po vërehet nga interesimi I madh I fermerëve për të përfituar nga grantet tona. Dhe ne mbi të gjitha po përpiqemi me të gjitha forcat që ky proces të japë rezultatet e pritura dhe të jetë shumë transparent”, ka thënë ai në një prononcim për ORAinfo.

Krasniqi thotë se në bazë të indikatorëve që kanë përgatitur në program pritet që qindra fermerë të mëdhenj të marrim grante zhvillimore nga MBPZHR-ja. E mijëra fermerë të marrim subvencione. “Në bazë të indikatorëve rreth 2600 vende të reja pune do të hapen në bujqësi vetëm nga investimet tona. Padyshim se do të ketë vende të reja nga investimet edhe të vet fermerëve”, thotë ai.

Ministri Krasniqi thotë se eksporti po rritet dhe ka storie suksesi në bujqësi në këtë drejtim. Por ai thotë se prioritet mbetet që ne të zëvendësojmë importin në shumë produkte dhe padyshim të rritet eksporti.

Ai thotë se MBPZHR-ja është duke punuar në disa politika që mund të avanconin edhe më shumë këto dy aspekte. /Telegrafi/