Telegrafi

Shpresat e familjes shuhen, studentja shqiptare e zhdukur në aksidentin në Greqi nuk gjendet

Komuniteti shqiptar në Greqi, përmes një njoftimi në Facebook ka bërë me dije se një student shqiptare është zhdukur pas aksidentit tragjik ku dy trena u përplasën duke lënë pas më shumë se 50 viktima.

Klaudia Lata, studentja 21 vjeçare e Mjekësisë është një nga pasagjerët e vagonit 2 të aksidentit të frikshëm në Evangjelismo, Tembi. Familja Lata, familja emigrante shqiptare në Larisa ka filluar procesin e identifikimit me ADN, ndërsa shpresat se vajza e tyre të jetë mes të mbijetuarve thuajse janë shuar, shkruhet në njoftimin në Facebook.

Aksidenti hekurudhor ka ndodhur në hyrje të luginës së Tempes, ku treni i pasagjerëve që udhëtonte midis Athinës dhe Selanikut me 350 persona në bord u përplas me një tren mallrash.

Të mbijetuarit kanë treguar se vagonët u përfshinë me shpejtësi nga flakët, njerëzit digjeshin të gjallë, ndërsa ishte shumë e vështirë të nxirrje personat nga mjeti i shkatërruar.

Greqia ka shpallur 3 ditë zie kombëtare në nder të viktimave. /Telegrafi/