Site icon Telegrafi

Shprehitë që mund t’ua shkatërrojnë karrierën

Pyesni veten pse nuk përparoni më shpejt në vendin e punës, pse ju anashkalojnë rritjet e rrogës dhe projektet e rëndësishme?

Përgjigjen ndoshta do ta gjeni në shprehitë e këqija në vijim të cilat mund të rrezikojnë karrierën.

Mospromovimi i sukseseve tuaja

Ndoshta puna juaj është fantastike, por për të nuk di askush. Kjo kurrsesi nuk do ta ndihmojë reputacionin tuaj, fitimin apo rrogën, dhe as rastet për avancim. Prandaj mundohuni që menaxheri të dijë se çfarë keni arritur, qoftë fjala për ndonjë lëvdatë që ju ka dhënë ndonjë klient i rëndësishëm, shpenzimet që keni zbuluar apo çka do që tejkalon obligimet tuaja të zakonshme të punës.

Qëndrimi defansiv

Nëse edhe nuk i keni marrë reagimet të cilat i keni pritur, mos merrni qëndrim defansiv. Shumë njerëz thjesht heqin dorë nga përpjekja për të vendosur ndërveprim të arsyeshëm me njerëzit e tillë, dhe ka shumë mundësi që kolegët do të fillojnë t’ju shmangin, ndërsa eprori do të ndalet së sugjeruari mënyrën me të cilën do të kishit mundur të përparoni.

Marrja e vendimeve me nguti

Vendimet impulsive nuk duhet ta kenë vendin e tyre në karrierë. Vendimet të cilat i merrni me nguti kanë pasoja afatgjata dhe mund të ndikojnë dukshëm në reputacionin, paratë dhe kualitetin e jetës tuaj.

Mosangazhimi për të drejtat tuaja

Nëse mendoni që mosveprimi nganjëherë është më i mirë për të arritur sukses profesional, e keni gabim. Nëse mendoni që ndonjë vendim është i gabuar, që projekti është gati për të dështuar ose që meritoni rritje të pagës, çdo menaxher i mirë dëshiron të flisni për këtë gjë. Ekziston dallim i madh në mes të punonjësve të bezdisshëm dhe atyre asertivë, të cilët e ngrisin zërin për veten me vetëbesim.

Negativiteti i tepruar

Nëse vazhdimisht ankoheni për punët e reja, politikën e firmës, mjeshtërit që kurrsesi nuk e rregullojnë internetin dhe ngjashëm, atëherë me siguri rreth vetes krijoni atmosferë të papërshtatshme për punë. E njëjta vlen edhe për humorin negativ, respektivisht shakatë që i bëni në llogari të shefit ose kolegut të ri. Madje edhe nëse njerëzit qeshin me këtë ka shumë gjasa që do ta dëmtojë reputacionin tuaj.

Gënjimi

Nëse ju kapin duke gënjyer, madje edhe me gënjeshtrën më të vogël, kjo do ta shkatërrojë kredibilitetin tuaj dhe atë pa kthim. Mund të jeni tërësisht të sinqertë për tri vitet e ardhshme, por ende do t’ju mbajnë mend si dikë që ka gënjyer dhe të cilit nuk mund t’i besohet krejtësisht.

Mosorganizimi kronik

Njerëzit i kushtojnë vëmendje nëse jeni duke bërë atë që keni premtuar dhe a e kryeni atë kur keni thënë që do ta kryeni. Nuk është e rëndësishme nëse është në pyetje diçka e imët si palosja e dokumenteve apo diçka më madhore si takimi për projekt. Në bazë të kësaj e ndërtoni reputacionin tuaj dhe fitohet përshtypja se a mund të mbështeten tek ju apo se a mund t’ju besojnë.

Mosmarrja me teknologji të reja

Edhe pse besoni që e kryeni punë tuaj tamam si duhet dhe nuk dëshironi të ndryshoni asgjë, pra as të mësoni për teknologjitë e reja, ka shumë mundësi që shumë shpejt do t’ju lënë anash. Do t’ju tejkalojnë ata që nuk i printojnë e-mailat e tyre për t’i lexuar, dhe që nuk shkojnë në bibliotekë orë e çast për të kontrolluar diçka në vend se ta gjejnë në Google. /Telegrafi/

Exit mobile version