Real Madridi e ka shkruar përsëri emrin në librat e historisë së futbollit duke fituar trofeun e 14-të të Ligës së Kampionëve, ndërsa goli i anuluar i Karim Benzemas shkaktoi kundërthënie në fund të pjesës së parë.
Madje edhe në ditët e sotme shumë tifozë vazhdojnë të mos e kenë të qartë pse nuk i regjistrua ai shënim. Në vijim, Marca sjell një shpjegim të bazuar në konsultimet e figurave autoritare të UEFA-s.
Gjëja e parë që duhet thënë është se është një ‘zonë gri’ – çështje e padefinuar qartë. Kjo shpjegon pse VAR-it iu deshën tri minuta për të konfirmuar vendimin që gjyqtari Clement Turpin dhe ndihmësi i tij kishin marrë në fushë. Ishte një finale dhe ata duhej të ishin të sigurt.
Benzema's Goal Disallowed ❌⚽️
For being offside.HT
Liverpool 0-0 Real Madrid #UCL #UCLfinal#LIVRMA #LiverpoolvsRealMadrid https://t.co/nMz6i1oFLE— Goalpost (@goalpost882) May 28, 2022
A ishte Benzema në pozitë jashtë loje
Koncepti kryesor që duhet kuptuar është se si një lojtar mund të konsiderohet se ka ‘luajtur’ në rastin e goditjes së topit.
Ishte e qartë për shumë njerëz që shikonin përsëritjet e xhirimeve se topi ishte goditur nga mesfushori i Liverpoolit, Fabinho, përpara se të arrinte në këmbët e Benzemas, i cili shfrytëzoi rastin.
Mirëpo, gjyqtarët duhej të vendosnin nëse Fabinho kishte luajtur qëllimisht në atë rast apo nëse topi thjesht ishte devijuar nga ai. Duke qenë se ishte pjesë e një ndërhyrjeje ndaj Fede Valverdes, u vendos se ai nuk po tentonte ta pasonte topin dhe për këtë arsye pozicioni jashtë loje kundër Benzemas qëndron.
Vendimi se cilat ishin qëllimet e Fabinhos është ‘zona gri’ e lartpërmendur. Në bazë të interpretimit të gjyqtarit, ai kishte konsideruar se mesfushori i Liverpoolit kishte bërë përpjekje për ta ndërprerë pasimin e Valverdes. Dhe kjo është “prekje” dhe jo “lojë/pasim”. /Telegrafi/