Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot në orët e mëngjesit ka bërë të ditur se pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucioneve tona, është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës, por sipas saj nga akti terrorist i shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit është ndikuar furnizimi me ujë.
Rizvanolli në një postim në Facebook thotë se qytetarët të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta.
“Nga ky akt terrorist është ndikuar edhe furnizimi me ujë. Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”, tha ajo.
“Faleminderit Ibër Lepencit, Policisë së Kosovës dhe KEK-ut për reagimin e shpejtë, si dhe AME-së dhe KRU-ve, të cilët kanë vënë në dispozicion të gjitha autobotët dhe kapacitetet e nevojshme njerëzore për një zgjidhje emergjente”, tha ajo. /Telegrafi/