Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar këtë të martë në lagjen “Kroi i Vitakut”, në veri të Mitrovicës.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës – veri, Besim Hoti, ka thënë për Telegrafin se dyshohet që është hedhur shok-bombë, por nuk ka të lënduar.
Ndryshe, situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar. Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët në atë pjesë.
Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.
Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor./Telegrafi/