Telegrafi

Shpërthim me lëndë plasëse në ambientet e një lokali në Malësinë e Madhe

Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në ambientet e jashtme të një lokali në zonën e Razmës në Malësinë e Madhe.

Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:50 të mëngjesit të kësaj të premteje dhe lënda plasëse dyshohet se është vendosur te reklama e jashtme e lokalit. Biznesi rezulton në emër të kryetarit të Rithemelimit në Malësinë e Madhe, njëkohësisht edhe ish-kryetar i ish-komunës Shkrel, Fredi Sterkaj.

Nga informacionet paraprake bëhet me dije se si pasojë e shpërthimit nuk ka pasur persona të lënduar por vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor po kryen veprimet në vendngjarje, për sigurimin e provave, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

“Rreth orës 08:50, në fshatin Razëm, dyshohet se është hedhur lëndë plasëse tek reklama, në afërsi të lokalit të shtetasit F. S. Si pasojë e shpërthimit të saj janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/