Dy ndërtesa në Shën Petersburg të Rusisë u dëmtuan ndërsa banorët u evakuuan të shtunën pas një shpërthimi të fuqishëm, ndërsa në Odessa dy persona u vranë dhe tetë u plagosën pasi një dron rus u përplas në një bllok banesash në portin ukrainas në jug të vendit.
Guvernatori i Shën Petersburgut, Aleksandër Beglov tha se “incidenti” ndodhi në lagjen verilindore të Krasnogvardeisky dhe se nuk ka viktima, por se banorët janë evakuuar. Ai nuk ka specifikuar shkakun apo natyrën e incidentit. Banorët thanë se fillimisht kanë dëgjuar një zhurmë të pazakontë, më pas një shpërthim që shkaktoi rënien e zjarrit.
Mediat ruse shkruajnë se ka mundësi të jetë një dron ukrainas i rrëzuar që ka shënjestruar një depo karburanti aty pranë.
⚡️In the north of St. Petersburg, a drone crashed into an apartment building
The target of the attack was probably an oil depot. pic.twitter.com/o8DvyZczup
— NEXTA (@nexta_tv) March 2, 2024
Autoritetet në Odessa, në jug të Ukrainës, raportuan se dy persona u vranë, tetë u plagosën dhe gjashtë u konsideruan të zhdukur në rrëzimin e një droni rus në një bllok apartamentesh.
“Rusia vazhdon të luftojë kundër civilëve. Një nga dronët e armikut goditi një ndërtesë apartamentesh në Odessa. 18 apartamente u shkatërruan”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ky i fundit tha se ishte një dron Shahid, i prodhuar nga Irani, i cili po vazhdon ta furnizojnë Rusinë në luftën kundër Ukrainës.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/