Të paktën 29 persona janë plagosur nga një shpërthim në një qark të qytetit të Neë York-ut.
Shkaku i shpërthimit të së shtunës në Chelsea mbetet akoma i paqartë.
Kryetari i qytetit, Bill de Blasio ka thënë se shpërthimi është i “qëllimshëm” por ka thënë se nuk ka akoma informacione se mund të jetë i lidhur me terrorizëm.
Një tjetër mjet shpërthyes është gjetur më vonë në të njëjtin qark.
Asnjëri prej 29 personave të plagosur nuk është në rrezik për jetë, kanë njoftuar autoritetet amerikane. Shumica prej tyre kanë pësuar prerje dhe dëmtime të tjera të vogla, që janë shkaktuar nga thyerjet e xhamave.
Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 21:00 sipas kohës lokale. Dëshmitarët kanë thënë se pas shpërthimit, njerëzit kanë filluar që të ikin në të gjitha drejtimet, raporton BBC.
Raporte ende të pakonfirmuara thonë se mjeti shpërthyer ishte futur në një kosh.
Disa blloqe në New York, tashmë janë mbyllur nga policia.
“Indikacionet e para thonë se ky është një akt i qëllimshëm”, tha de Blasio.
“Ne duam gjithashtu të themi se nuk kemi prova që e lidh këtë incident me terrorizëm”, ka shtuar tutje ai.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë thënë se mjeti i dytë shpërthyes që është gjetur në Chelsea, duket të jetë një tenxhere me presion, që kishte një qark elektrik dhe një telefon celular. Policia tha se ka arritur që ta largojë mjetin, njofton agjencia e lajmeve AFP.
Chelsea është njëri prej zonave më në modë në Manhattan, ku ka bare dhe restorante dhe zakonisht kjo zonë është e mbushur me njerëz gjatë fundjavës.
Presidenti i Shteteve të Bshkuara, Barack Obama është duke u mbajtur i informuar lidhur me hetimet që po zhvillohet për këtë ngjarje, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.