Një nga rrugët më të ngarkuara në qytetin e Johannesburgut të Afrikës së Jugut është dëmtuar rëndë.
Ky dëmtim, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ka ndodhur pas një shpërthimi të dyshuar nga një tubacion gazi nëntokësor.
Dhe pamjet tregojnë se pjesë të rrugës janë shembur dhe makinat janë kthyer përmbys.
Si pasojë, një person ka humbur jetën dhe dhjetëra janë lënduar, thanë zyrtarët.
Disa dëshmitarë okularë raportuan se kishin ndjerë dridhjen e tokës dhe më pas dëgjuan një zhurmë të fortë në momentin e shpërthimit.
Duke iu drejtuar mediave të enjten, kryeministri Panyaza Lesufi tha se 12 persona janë ende duke u trajtuar në spital për plagët e tyre.
Një hetim paraprak nuk përcaktoi shkakun e shpërthimit dhe hetimet janë duke u zhvilluar për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur, u tha ai gazetarëve.
Furnizuesi lokal Egoli Gas tha të enjten se kishin gjetur një rrjedhje të vogël në një nga tubacionet e tyre, por ata besojnë se nuk ka gjasa që të ketë çuar në shpërthim.
Firmës i është kërkuar nga autoritetet që të kontrollojë tubacionet e tjera të tyre në zonë, pasi një rrjedhje e mundshme gazi është ende në qendër të hetimeve. /Telegrafi/