Site icon Telegrafi

Shpërthen Curry, Golden State një fitore larg titullit (Video)

Golden State Warriors ka shënuar fitore të madhe në Ohio, duke mposhtur Cleveland Cavaliers me rezultat 108-97.

Ndeshja kaloi në mënyrë tejet të barabartë nga fillimi i takimit, me shënimet që u morën përsipër nga lojtarë tjerë, dhe jo protagonistë, LeBron James dhe Stephen Curry.

Mbrojtja e Golden State kishtë ndërruar qasjen, duke mos lejuar shënime të lehta për Clevelandin dhe për LeBron James ashtu si në ndeshjen e kaluar.

Pjesa e parë përfundoi me gjashtë pikë epërsi për Clevelandin.

Me të filluar çereku i dytë, epërsia shkoi në 11 pikë, para se Golden State të hynte në seri me treshe nga Curry dhe Thompson, duke kthyer epërsinë në gjashtë pikë.

Menjëherë reagoi Clevelandi që arriti të kthejë epërsinë në gjashtë pikë dhe që rezultati të jetë i barabartë në fund të çerekut të tretë.

Me të filluar çereku i katërt, Golden State aplikoi mbrojtje më të fotë, teksa Clevelandi bëri shumë gabime në fazën e sulmit dhe të mbrojtjes, duke lejuar shumë treshe për kundërshtarët, pra gjithsej 17 treshe i shënuan mysafirët.

Në fund Clevelandi nuk kishte shanca dhe kështu u pajtua me humbjen prej 11 pikësh diferencë.

Më i miri ishte Stephen Curry me 38 pikë e gjashtë asistime, me 7 treshe të kompletuara, i përcjellë nga Kyrie Irving me 34 pikë e katër asistime, me vetëm 2 treshe të kompletuara, teksa LeBron James dhe Klay Thompson shënuan nga 25 pikë.

Ndeshja e ardhshme zhvillohet mëngjesin e të martës në Oracle Arena dhe me një fitore Golden State do të shpallej kampion i NBA për herë të dytë radhazi sepse ka tashmë epërsinë prej 3-1 në seri. /Telegrafi/

Exit mobile version