Policia e Kosovës njoftoi të enjten se ka arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘keqpërdorim i fëmijëve në pornografi’.
Sipas njoftimit, i njëjti në rrjetin social Facebook ka shpërndarë tek disa persona të tjerë një video me përmbajtje abuzive seksuale të fëmijëve.
“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, respektivisht Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas pranimit të informacioneve se në rrjetin social Facebook, nga një person i dyshuar, është shpërndarë tek disa persona të tjerë një video me përmbajtje abuzive seksuale të fëmijëve, ka filluar hetimet, ku si rezultat është identifikuar dhe është arrestuar një i dyshuar mashkull/kosovar”, thuhet në komunikatën për media.
Lidhur me rastin është sekuestruar një telefon celular dhe po ashtu është intervistuar personi i dyshuar. Në konsultim me prokurorin kompetent i njëjti është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/