Telegrafi

Shpërndante kanabis me makinë, arrestohet 22-vjeçari në Shkodër

Një 22-vjeçar në qytetin e Shkodrës u arrestua në flagrancë, pasi po lëvizte me automjetin e tij për të shpërndarë kanabis.

Gjatë kontrollit të policisë atij iu sekuestruan dozat e lëndës narkotike, automjeti dhe celulari i të arrestuarit.

Njoftimi i policisë

Si rezultat i administrimit të shpejtë të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të megaoperacionit “Tempulli”, se një shtetas shiste lëndë narkotike cannabis sativa, në doza, në lagje të ndryshme të Shkodrës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kapën në flagrancë këtë shtetas.

Konkretisht, u vu në pranga shtetasi Y. D., 22 vjeç, banues në Shkodër.

22-vjeçari u arrestua në bulevardin “Bujar Bishanaku”, teksa lëvizte me një automjet tip “Benz”, për të shpërndarë doza të lëndës narkotike cannabis sativa, në lagje të ndryshme të qytetit të Shkodrës. /Telegrafi/