Telegrafi

Shpërndante drogë në zona të ndryshme të Tiranës, arrestohet i mituri

Një 17-vjeçar është arrestuar nga policia e Kamzës si i dyshuar për shitjen e lëndëve narkotive në zona të ndryshme të Tiranës.

17-vjeçari ra në prangat e policisë, pas informacioneve të marra në rrugë operative se pasi siguronte lëndën narkotike kanabis sativa, e ndante në doza dhe e shiste në Tiranë.

Gjatë kontrollove të kryera, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, lëndë narkotike dhe shuma parash që dyshohet se ishin përfituar prej saj.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shop”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i një 17-vjeçari, banues në Kamëz.

Ky shtetas dyshohet se pasi siguronte sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis, e ndante atë në doza, të cilat më pas i shiste në zona të ndryshme në kryeqytet.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis, shuma parash të dyshuara të përfituara nga shitja e saj, një çelës automjeti dhe një celular”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore. /Telegrafi/