Tashmë është ofruar edhe një shpërblim prej 25 mijë dollarësh për modelen dhe aktoren shqiptare nga Maqedonia, Adea Shabani, e cila u zhduk në Hollywood.
Adea është e humbur që prej 23 shkurtit. Ajo së fundmi është parë në bllokun 1700 Wilcox Avenue jo shumë larg prej vendit ku edhe jeton. Ajo është parë për herë të fundit në Santa Clarita Valley në ditën që është humbur.
25 vjeçarja u largua nga Maqedonai për të studiuar aktrimin dhe ka qenë në Los Angeles për më pak se dy vjet.
Miqt dhe familjarët e panikuar janë tashmë në një kërkim të vazhdueshëm të saj dhe kanë vendosur edhe posterë përreth zonës ku është humbur.
“Ka 11 ditë tashmë, ne jemi të frikësuar, por po lutemi”, ka thënë shoku i saj Christian Name.
Miqt e saj e kanë kuptuar se diçka nuk është mirë kur Shabani nuk u përgjigjej mesazheve të tyre.
“Kjo është jashtë karakterit të saj. Ajo është një vajzë shumë e përgjegjshme. Ne kaluam shumë së bashku. Të gjithë prej nesh e duam atë”, ka thënë Name.
Nëna e Adeas tashmë ka angazhuar një hetues privat për të ndihmuar dhe tashmë ka arritur edhe personalisht nga Maqedonia për të ndihmuar në gjetjen e vajzës.
Ky hetues privat thotë se po ofrohet një shpërblim prej 25 mijë eurosh për informacionet që mund të çojnë në gjetjen e saj.
Shabani përshkruhet si një vajzë bjonde me sy të kaltër.
Të gjithë ata që kanë ndonjë informacion mund të kontaktojnë Departamentin e Policisë në Los Angeles, njësinë për njerëz të humbur në numrin (213) 996-1800 ose hetuesit e rastit në (800) 358-3830.
/Telegrafi/