Telegrafi

Shpërblim: 1.5 euro në rast se nuk e vozisni automjetin për 12 orë

Ngarkesat dhe bllokimet në komunikacionin e dendur, po bëhen problem gjithnjë e më serioz në qytetet evropiane.

Problem në vete paraqesin rrugët e ngushta, të cilat janë ndërtuar shumë më herët (kur automjetet ishin të rralla) dhe tash po shfrytëzohen jashtëzakonisht shumë.

Secili shtet dhe qytet është duke e trajtuar në mënyrën e vet ngarkesën në komunikacion.

Në Londër, ishte vendosur pagesë në raport me shkallën e ndotjes nga automjeti, ndërsa Hamburgu është duke planifikuar ndalimin e plotë të qarkullimit të automjeteve brenda qytetit deri në vitin 2030, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, Milano është duke bërë një plan ndryshe. Në vend që të marrë masa ndëshkimi për vozitësit, autoritetet e qytetit italian kanë marrë vendim që të paguajnë nga 1.5 euro çdo automjet, i cili do të qëndrojë i parkuar nga ora 07:30 deri në orën 19:30.

Brenda automjeteve do të vendoset një sistem i posaçëm, i cili do ta përcjellë pozitën e tij.

Në rast se, automjeti qëndron në të njëjtin vend për 12 orë, atëherë pronari do të përfitojë 1.5 euro që më pas do të mund ta shfrytëzojë për të paguar transportin publik. /Telegrafi/