Ka përfunduar afati kalimtar veror për transferimin e futbollistëve në top pesë ligat më të forta evropiane.
Të parët që e mbyllën afatin kalimtar veror ishin gjermanët (Bundesliga) në ora 18:00, derisa pas tyre italianët (Serie A) në ora 20:00.
Ndërkohë në Ligën Premier (Angli), La Liga (Spanjë) dhe Ligue 1(Francë), afati kalimtar u mbyll pas mesnate.
Si gjithmonë edhe kësaj radhe elita e futbollit anglez Liga Premier mbanë rekordin si kampionati që ka shpenzuar më së shumti në tregun e transferimeve.
Të gjitha 20 skuadrat angleze kanë shpenzuar hiq më pak se dy miliardë funte në afatin kalimtar veror të transferimeve.
Pas kampionatit anglez vjen ai italian Serie A me 670 milionë funte të shpenzuara gjatë tre muajve të verës.
Bundesliga mbetet në vendin e tretë me klubet gjermane që kanë shpenzuar 435 milionë funte për transferimin e futbollistëve.
Ndërkohë në pozitën e katërt mbetet Ligue 1 e Francës me një total prej 426 milionë funteve të shpenzuara nga klubet franceze.
Për çudi elita e futbollit spanjoll La Liga mbetet kampionati i pestë që ka shpenzuar këtë verë, me klubet spanjolle që kanë harxhuar 404 milionë funte në total për afrimin e futbollistëve të rinj. /Telegrafi/