Manchester Unitedit mund t’i duhet të paguajë deri në 300 milionë funte (342 milionë euro) nëse dëshiron ta sigurojë nënshkrimin e Harry Kane për pesë vite.
Sulmuesi i Tottenham Hotspur është lidhur me një kalim në Old Trafford, pasi Djajtë e Kuq po i shqyrtojnë opsionet për fazën ofensive.
Trajneri Erik ten Hag dëshiron ta forcoje sulmin, ndërsa futbollisti anglez është i dëshmuar në Ligën Premier. Megjithatë, Unitedi duhet të paguajë shuma marramendëse për ta pasur Kane në radhët e veta.
Në rast të shitjes, Spursat do të kërkojnë 120 milionë funte (136.5 milionë euro) për 29-vjeçarin, bën të ditur Daily Star.
Kapiteni i Anglisë kishte kërkuar 375.000 funte (427.030 euro) në javë kur kërkohej nga Manchester City, ndërsa thuhet se ai do të kërkojë rreth 400.000 funte (455.497 euro) në javë te Djajtë e Kuq. Kjo është shuma pa i përfshirë bonuset që rëndom një futbollist mund t’i dyfishojë të hyrat nëse arrihen objektivat e klubit dhe ato personale.
Kane, i cili e ka kaluar gjithë karrierën profesionale te Tottenhamit, pritet ta informojë klubin nëse dëshiron ta vazhdojë karrierën diku ku mund të fitojë trofe.
Por, siç transmeton The Mirror, duke përfshirë çmimin e shitjes, rrogën bazë dhe shpenzimet për bonuset dhe shtesat, për një kontratë pesëvjeçare – Manchester Unitedi do të duhej të shpenzonte deri në 300 milionë funte (342 milionë euro) për shërbimet e tij. /Telegrafi/