Site icon Telegrafi

Shpenzimet kapitale bien për 15 për qind

Raporti gjashtëmujor financiar i buxhetit të Republikës së Kosovës tregon se Qeveria “Mustafa” ka ekzekutuar buxhetin për shpenzime kapitale për 15 për qind më pak se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

Me këtë raport konstatohet se gjatë këtyre gjashtë muajve janar – qershor 2015 janë shpenzuar më pak mjete për investime kapitale në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në vlera monetare në vitin 2014 Qeveria kishte shpenzuar 136.66 milion euro, ndërsa në vitin 2015 vlera e tyre ishte 115.60 milionë euro.

Kurse në anën tjetër, sipas raportit, të hyrat tatimore shënuan rritje prej 7 për qind, si rezultat i rritjes së të hyrave nga Doganat për 5 për qind dhe nga ATK për 10 për qind, ndërkaq të hyrat nga tatimi në pronë që mblidhen nga komunat kanë rënë me 3 për qind.

Por, pavarësisht se të hyrat e kësaj periudhe kanë shënuar rritje, arkëtimi i gjithsej të hyrave buxhetore është 5,5 për qind më i ulët se parashikimet buxhetore të cilën e kishte përpiluar Qeveria e kaluar “Thaçi”. Por sipas raportit, të hyrat tatimore janë rreth 6,5 për qind më të ulëta se parashikimi për këtë periudhë (duke mos përfshirë këtu tatimin në pronë), ku mbledhja e të hyrave nga Dogana është 4 për qind nën vlerën e pritur, ndërsa mbledhja e të hyrave nga Administrata Tatimore është 8 për qind nën vlerën e pritur.

Por, për ekspertin e ekonomisë, Ibrahim Rexhepin, këto të hyra kanë qenë të pritura pasi që, sipas tij, asgjë nuk ka filluar të zbatohet nga lehtësirat fiskale, si është TVSH-ja e përshkallëzuar, ndërkohë që është rritur akciza në disa artikuj të cilat kanë reflektuar me rritjen e të hyrave. Ndërkaq që rënia e shpenzimeve kapitale sipas tij, ka ndodhur për shkak të dinamikes se realizimit të projekteve.

“Se do të ketë rritje të hyrash ka qenë e pritur, meqenëse si Dogana, ashtu edhe ATK-ja janë në një ofensivë për vjeljen e tatimeve dhe parasë tjetër që i takon shtetit, pa pasur konsideratë ndaj tatimpaguesve, si atyre individualë, ashtu edhe të biznesit.

Njëkohësisht, ende nuk ka filluar të zbatohet asgjë nga lehtësitë e proklamuara fiskale, e janë rritur akcizat për disa artikuj. Ndërkaq, rënia e shpenzimeve kapitale ka ndodhur për shkak të dinamikës së realizimit të projekteve. Besoj, duke u mbështetur në përvojat e viteve të kaluara edhe shpenzimet kapitale do të rriten muajt e ardhshëm, por jo në nivelin e duhur, meqenëse edhe plani është më i ulët”, ka thënë ai.

Rexhepi ka thënë se kjo Qeveri nuk ka pasur mundësi të bëjë një buxhet më kreativ dhe më cilësor, meqenëse këtë e ka amanet nga Qeveria “Thaçi”. Sipas tij, kreativitetin e saj, si edhe mënyrën se si do të planifikojë shpenzimit duhet pritur t’i shohim në buxhetin e vitit 2016. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version