Telegrafi

Shpenzime marramendëse për mbrëmjen e maturës në Maqedoni

Euforia e mbrëmjes së maturës duket se është nga fundi, pasi nga java e dytë e muajit maj të gjitha shkollat e mesme në vend do të festojnë përmbylljen e ciklit të shkollimit të mesëm.

Dyqanet e qyteteve janë mbushur përplot me veshmbathje të bukura me qëllim të tërheqjes të sa më shumë maturantëve ndërsa sallonet e zbukurimit tashmë kanë mbushur listën e rezervimeve për këtë natë.

“Nuk ka nevojë të bëhen ndryshime radikale, thjeshtësia të jetë standard ose natyralja. Gjeneratat më të reja nuk kanë nevojë për shumë ndryshime, është mirë të bëhen nijansime të flokut, detaje shumë të imëta dhe të kenë efekte të duhura”, thotë Emnijet Ademi, parukier.

Mbrëmja e maturës duket se do t’ju kushtojë shuma të mëdha familjeve që kanë fëmijët maturantë. Të anketuarit nga Alsat, thanë se kishin shpenzuar prej 300 deri në 500 euro për përgatitjet e kësaj mbrëmje, edhe pse akoma të gjitha nuk i kishin përfunduar.

Përafërsisht, darka e maturës bashkë me muzikë kushton rreth 1200 denarë, veshja për vajza ose djem lëviz prej 5 mijë deri 9 mijë denarë, këpucët për dy gjinitë prej 1200 deri 3000 mijë denarë, rregullimi i flokëve dhe grimi për vajza prej 1500 deri 2500 denarë, dhurata për partnerin e mbrëmjes rreth 1000 denarë, si dhe shumë e shumë shpenzime të tjera për organizimin e festës familjare.