Shpend Ahmeti përmes një letre të dërguar mediave ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet që ka mbajtur në Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai ka thënë se javëve të fundit ka kuptuar shumë gjëra për të cilat ka thënë se nuk i ka ditur më parë.
“Javëve të fundit kam kuptuar shumë gjëra për organizatën të cilat nuk i kam ditur më parë. Këto gjëra nuk janë diskutuar me mua. Mirëpo kjo nuk është arsyeja e vendimit tim. Motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në LVV nuk është më”, shkruan në letrën e Ahmetit.
Ai ka thënë se mospajtimet kanë dëmtuar frymën dhe rrjedhimisht dhe kauzën e VV-së.
“Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia. Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mire, e të tjerët e kanë keq”, thuhet më tej në letrën e Ahmetit.
“Thjesht kjo qasje dhe kjo mënyrë e zgjidhjes së mospajtimeve nuk më përfaqësojnë mua. Kjo nuk do të thotë se pajtohem me njërin krah ose tjetrin sa i përket të vërtetës për të kaluarën. Aspak. Nuk kam qenë pjesë e asnjërës nga temat për të cilat ka ndodhur mospajtimi fillestar. Prandaj nuk e ndjej betejën njëjtë si ata”, thuhet në letrën e Ahmetit.