Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti priti në takim këngëtaren me famë botërore Dua Lipa me ç’rast i dhuroi “Çelësin e Prishtinës” për promovimin që i ka bërë kryeqytetit me Festivalin “Sunny Hill”.
Ahmeti falënderoj këngëtaren për ndarjen e fondit 100.000 eurosh që ndihmoi shtatë organizata joqeveritare, pesë shkolla të muzikës dhe disa aktivitete kulturore e festivale.
“Dua ka filluar që t’ia kthejë komunitetit nga pjesa e vet duke iu ndihmuar fëmijëve. Do të bëhemi një qendër për me iu ndihmu talenteve të rinj, kemi biseduar me Duan dhe Dukagjinin që t’i ndihmojmë talenteve të ri për muzikë jo vetëm përmes ndihmave në shkolla, por edhe për krijimin e një qendre më të mirë të muzikës”, tha kreu i Prishtinës.
Ndërsa Dua u shpreh të jetë e lumtur që do të performojë për të dytën herë para adhuruesve të saj në Kosovë, për të cilët ndjehet mirënjohëse.
“Ky është vetëm fillimi për ecjen dhe përparimin e artit dhe kulturës së Kosovës që do ta bëjmë së bashku. Faleminderit për përkrahjen e vazhdueshme që më jepni, pa juve s’do të isha këtu, sepse e di që më keni mbështetur duke dëgjuar këngët e mija”, tha ajo.
Përndryshe, kjo është hera e parë që Kryetari Ahmeti ka dhuruar “Çelësin e Prishtinës”.
Theksojmë se sonte 22-vjeçarja do të jetë e pranishme para publikut në Gërmi të Prishtinës. /Telegrafi/