Telegrafi

Shpend Ahmeti flet për arrestimin e zyrtares komunale: Dyshohet se ka lëshuar vërtetime të rrejshme

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas arrestimit të zyrtares komunale, e cila dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ahmeti ka thënë se para dy javësh, gjatë një kontrolli të brendshëm në Komunën e Prishtinës, kanë gjetur se një zyrtare e tatimit në pronë,ka lëshuar vërtetime të rrejshme për borxhet e tatimit në pronë, dhe se pas kësaj ai ka udhëzuar drejtoreshën e financave që ta denoncojë në polici këtë zyrtare, transmeton Telegrafi.

“Këto vërtetime kërkohen për të regjistruar makina, dhe natyrisht se lëshimi i rrejshëm i vërtetimeve të tilla është shkelje ligjore. Kam udhëzuar drejtoreshën e financave që zyrtaren ta denoncoi në polici dhe kemi filluar procedurat disiplinore. Si pasojë e denoncimit e njëjta zyrtare sot është shoqëruar në polici për vepër penale”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Lexo po ashtu Policia arreston një zyrtare të komunës së Prishtinës, dyshohet për keqpërdorim të pozitës

Ai ka thënë se nuk do të tolerojnë shkelje të tilla nga zyrtarët, pa marrë parasysh pozitat e pasojat./Telegrafi/