Telegrafi

Shpallen sportistët më të mirë të vitit 2018 nga Komuna e Drenasit – Florian Smakiqi shpallet më i miri

Në ambientet e SHMTP “Fehmi Lladrovci” sot është mbajtur ceremonia e shpalljes së sportistëve më të mirë të vitit në Komunën e Drenasit, event i organizuar nën patronazhin e Drejtorisë për Rini, Kulturë dhe Sport.

Këtë ngjarje e bëri më madhështore pjesëmarrja e kryetarit të FFK-së, Agim Ademit.

Gjatë kësaj ngjarje u shpall sportisti më i mirë, trajneri, gjyqtari, pedagogu, ekipi më i suksesshëm, punëtori sportiv dhe shpresa e vitit, sipas propozimeve të dërguara nga Klubet Sportive dhe vlerësimit nga Komisionit për Zgjedhjen e Sportistit të vitit 2018.

Nga Komisioni Vlerësues, i përbërë nga kryetari Mehdi Ademi dhe anëtarët, Ganimete Dibrani, Bekim Dobra, Endrit Gllareva dhe Erlind Krasniqi, u vlerësua kontrobuti dhe suksesi i sportistëve më të mirë të komunës sonë.

Sipas këtij vlerësimi, Çmimi “Sportisti më i mirë i vitit 2018” i takoi portierit të KF Feronikelit, Florian Smakiqi, për suksesin e treguar në rrafshin vendor e ndërkombëtar.

Çmimin për të e ndau kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci dhe presidenti i klubit, Naser Ramaj.

Në mesin e 10 sportistëve më të mirë të Drenasit ishin: Avni Zymberi, Greseta Berisha, Shkëlqim Mulaku, Besart Qorri, Meriton Lladrovci, Amrush Bujupi, Kaltrina Fejza, Astrit Thaqi dhe Liridona Kurrumeli.

Klubi më i suksesshëm i Drenasit u shpall KF Feronikeli, për suksesin e jashtëzakonshëm të treguar gjatë këtij viti, veçanërisht gjatë kësaj sezone.

Epiteti i Trajnerit më të suksesshëm për vitin 2018 i takoi ndihmës-trajnerit të KF Feronikelit, Faruk Elshani.

Punëtori më i dalluar sportiv për vitin 2018 u shpall trajneri nga Shkolla e Futbollit të Feronikelit, Arton Hajdari.

Për ndarjen korrekte të drejtësisë në gara dhe turnire të ndryshme në futboll, Çmimi “Gjyqtari më i mirë për vitin 2018” u shpall Arben Halili.

Epiteti i Shpresës së Vitit i takoi të rinjve, Butrint Ademi, Lorent Morina, Alfrend Franca.

Më i miri në kategorinë U10 u shpall Shaban Vrellaku, futbollist i para-fatosëve në Shkollën e Futbollit të Feronikelit.

Në kategorinë U11 më i miri u zgjodh Erjon Cakiqi.

Epiteti i më të mirit në U13 i takoi portierit Erion Mala.

Si më e mira në kategorinë e kadetëve u shpall volejbollistja e KV Feronikelit, Albina Halilaj. Ndërkaq, në të njëjtën kategori, më i suksesshmi nga meshkujt u shpall Adonis Qorri.

Drenis Mala, shigjetar në klubin e shigjetarisë “Feronikeli”, u shpall më i miri në kategorinë e Juniorëve. E për të njëjtën kategori, më e mira nga femrat u zgjodh Fatlinda Ramaj.

Për kontributin e dhënë në përmirësimin dhe zhvillimin e sportit në Kosovë, me mirënjohje u vlerësua presidenti i klubit Naser Ramaj. Po ashtu, me mirënjohje u vlerësuan edhe ish-hendbollisti Fetah Elshani dhe ish-futbollisti Nexhmedin Bardhi. Kurse, me mirënjohjen Post Mortum, pas vdekjes u vlerësua ish-futbollisti i KF Feronikelit që ndërroi jetë në vitin 2018, Ismet Lestrani.