Telegrafi

Shou i madh u zhvillua mbrëmë në Super Sfida: Prishtinalitë mposhtën Moderatorët

Mbrëmë në shoun “Super Sfida” garuan ekipi “Moderatorët” kundër “Prishtinalive”, ku këta të fundit fituan bindshëm përballë Moderatorëve, më rezultat 75:45.

Ky ishte njëri nga emisionet më të spikatura të këtij sezoni, ku në çdo lojë u krijua emocion i madh. Loja në përgjithësi kishte dramë, tension, sa që fundi u përmbyll me shumë humor. Në lojën “Penallti sy mbyllas”, kishte të qeshura të mëdha, veçanërisht momenti kur Roberti e goditi fuqishëm me top Liridonën.

Të qeshurat shpërthyen edhe kur Milaim Zeka e humbi orientimin dhe nuk arrinte ta gjejë topin, derisa bashkëlojtarët e tij, Orhani dhe Liridona, nuk patën mundësi ta orientojnë nga të qeshurat e mëdha.

Humori dhe të qeshurat e mëdha i kanë shtrirë në podium garuesit, gjë e cila nuk shihet shpesh nëpër televizionet shqiptare, e që shou më i madh me lojëra në televizionet shqiptare “Super Sfida”, vazhdimisht e ofron.

Për ekipin “Moderatorët” garuan: Orhan Murati, Liridona Gashi dhe Milaim Zeka. Ndërsa, për ekipin “Prishtinalitë”, garuan: Ryva Kajtazi, Alban Mehmeti dhe Robert Berisha, të cilët e fituan këtë përballje, për të vazhduar garën në gjysmëfinale, në betejë me ekipin UÇK.

Mbrëmë ishte edhe një risi, ku në dy garat e fundit shoun e moderoi Skyfter Blakaj, derisa moderatori Enis Ujkani e luajti rolin e komentatorit.

Gara u bë interesante kur Blakaj u përballë me Ujkanin në lojën “Hendboll me Penallti me Spirale”, duke shënuar fitore përballë moderatorit të “Super Sfidës”, i cili për shkak të humbjes u “dënua”, që në finalen e këtij edicioni të hidhet në pishinë. /Telegrafi/