Sali Shoshi, njohës i turizmit kulturor, ka thënë se Kosova nuk dallon me regjionin për resurse turistike.
“Ballkani ka një histori për turizëm kulturor. Kosova ka shtresime shtatë mijë vjet para Krishtit, siç është “Hyjnesha në Fron”, por Kosova ende nuk ka infrastrukturë të mjaftueshme për të pranuar turistë”, tha ai në emisionin “Përballje” të gazetarit Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini.
Shoshi është shprehur i shqetësuar për anashkalimin e Kosovës nga rutat turistike.
“Ka 13 ruta turistike në regjionin e Ballkanit, por asnjëra nga këto nuk kalon nëpër Kosovë”, ka deklaruar ai, përcjell Telegrafi.
Njohësi i turizmit kulturor, ka thënë se vende si Ulpiana ofrojnë potenciale të mëdha turistike, por menaxhimi jo i duhur po e dëmton në këtë aspekt.
“Ulpiana ka potencial të madh turistik por nuk menaxhohet. Kur shkon atje, nuk ka asnjë shërbim që paguhet, arkeologu ofron informata pa pagesë, nuk ka asnjë market etj.”, tregon Sali Shoshi.
Sipas tij raporti i Kosovës me shtetet fqinje nuk është i mirë për zhvillimin e turizmit.
“Raporti ynë për turizmin në krahasim me Shqipërinë është 1/10 ndërsa me Maqedoninë 1/5”.
Shoshi shprehet i shqetësuar për humbjen e resurseve pyjore, që janë baza për zhvillimin e turizmit malor.
“Resurset pyjore jemi duke i humbur. Nëse vazhdohet me këtë trend brenda 10-15 viteve do t’i humbim këto resurse, kur të tjerët po i mbrojmë”, ka përfunduar mendimin e tij Sali Shoshi, njohës i turizmit kulturor./Telegrafi/