Site icon Telegrafi

Shoqja e Florijanës rrëfen ngjarjen në momentin e zhdukjes së futbollistes

(Foto: Instagram/_florij/Twitter)

Të shtunën pasdite është raportuar zhdukja e një turisteje në Liqenin Como, ndërsa mediat në Ticino e kanë konfirmuar se është fjala për futbollisten Florijana Ismaili.

24-vjeçarja dhe një kolege e saj e të njëjtës moshë kishin marrë me qira një barkë me motor, të cilën në Itali mund ta drejtosh pa pasur nevojë për leje të posaçme.

Dy femrat e kishin nisur lundrimin pas orës 14:00 duke lundruar rreth 700 metra brenda liqenit dhe pastaj kanë ankoruar dhe janë shtrirë për t’u rrezitur. Ashtu kanë qëndruar rreth një orë, ndërsa më pas Florijana kishte dashur të freskohej. Pak para orës 16:00, ajo është hedhur me në ujë me kokë në vendin ku thellësia e liqenit është rreth 100 metra. Derisa shoqja po priste, futbollistja nuk u shfaq më në sipërfaqe të ujit.

“Ndoshta dëshiron të më frikësojë dhe do të shfaqet në anën tjetër të anijes”, kishte shpresuar shoqja e saj, transmeton Blick.ch.

Mirëpo, kur Florijana nuk u shfaq më, kolegen e saj (që ka mbetur anonime) e ka kapur paniku dhe kishte filluar ta thërriste emrin e saj me sa fuqi kishte. Dhe derisa shqiptarja po mungonte, shoqja e saj i ka thirrur shërbimet emergjente.

Lexo po ashtu Edhe një robot është vënë në kërkim të futbollistes së zhdukur, Florijana Ismaili

Brenda disa minutash dy ekipe shpëtimi ishin nisur nga Dongo dhe Menaggio, dhe e kishin gjetur barkën në afërsi të plazhit të Mussos. Derisa zhytësit e parë po e kërkonin Florijanën, një helikopter u nis nga Bergamo. Kërkimi vazhdoi edhe gjatë natës dhe rifilloi mëngjesin e të dielës.

Një zëdhënës i policisë italiane ka thënë se akoma nuk e dinë me saktësi se çfarë ka ndodhur, ndërsa mendojnë se Florijana ka mundur të pësojë një ligështim në momentin e hedhjes në ujin e ftohtë. Në ndërkohë, familjarët e saj kishin arritur me shpresën për të qenë aty kur të gjendet futbollistja.

Nga kompania, tek e cila është marrë barka me qira, kanë thënë se shoqja e lojtares ishte e shokuar. “Shoqja e Florijanës ishte në shok. Ishte e dëshpëruar. U kujdesëm për të deri në mesnatë. Sot është ndier paksa më mirë”, kanë thënë ata. /Telegrafi/

Exit mobile version