“I ndershëm në Shqipëri”, kështu e ka titulluar gazetarja Anila Hoxha shkrimin ku pasqyrohen realitete të dhimbshme me të cilat përballen çdo ditë shumë punonjës policie në Shqipëri. Shkrimi i cili është kthyer në ‘viral’ në mediat online dhe rrjetet sociale tregon edhe historinë e një ish-polici të quajtur Artan A.
17 vite në radhët e policisë nuk ishin asgjë përpara nipit të dehur të një ish-ministri shqiptar. Gazetarja Hoxha tregon se si shoqërimi i këtij personi të dehur i kushtoi karrierën dhe të gjithë sakrificat që Artani ka kaluar me uniformën blu.
“Ky ish polici polic quhet Artan A. Punoi 17 vjet në radhët e policisë së fundmi ishte tek Shqiponjat në Tiranë. Iku prej andej sepse në ndërhyrjen e fundit shoqëroi nipin e dehur të një ish ministri, i cili i hëngri kokën”, shkruan gazetarja në reagimin e saj.
“Ditën që ndodhi kjo, ne i kërkuam shtetasit dokumentet, ai tha do ua bëj siç ua bënë policëve në Elbasan. U nxeha kërkova përforcime dhe e përcolla në komisariat. Qytetari nuk firmosi asnjë pretendim për dhunë, dhe më pas ai u lirua. Por pesë ditë më vonë ai dorëzoi një akt ekspertizë me shenja nga prangat në duar, kjo u pa si dhunë dhe sjellje e pahijshme dhe aktualisht jam nën hetim “. Artan A. e bën këtë rrëfim me fund të shpirtit jo sepse dëshiron të kthehet më në polici, por sepse ndihet i pavlerësuar, i hedhur poshtë, i tradhtuar nga eprorët, i pambrojtur, ndonëse ishte një shërbëtor i verbër i shtetit të tij. ”Sepse jam i pafajshëm dhe sepse kam bërë armiq në emër te shtetit tim, i cili me ktheu kurrizin!” .
“Jetoj me qira dhe muajt e parë ishin të vështirë, sepse kur je polic që e do policinë, të ngjan sikur të kanë shkulur zemrën “ thotë Artani. Ai punon shofer dhe shpërndan produkte bulmeti dhe unë u njoha me të në një dyqan, shkruan Hoxha.
Ai më tha, vijon gazetarja, se policin nuk e duan , “isha nga ata që edhe po të vritesha për vendin tim, s’do më vinte keq për jetën, por për familjen” .