Site icon Telegrafi

“Shoqëria civile nuk mund të hyjë në opozitë të bashkuar”

Një nga zëdhënësit e Vetëvendosjes, Adonis Tahiri, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se është e nevojshme një alternativë politike e qytetare dhe se duan ta zgjerojnë frontin.

Tahiri shkruan se intelektualët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile nuk mund të hyjnë në grupin punues apo trupat e opozitës së bashkuar, transmeton Koha.net.

“Protestat brenda në Kuvend ishin të Opozitës së Bashkuar, kurse protestat në rrugë ishin gjithëpopullore dhe ishin protestat më të mëdha në Kosovën e pasluftës. Ky mobilizim i gjithë shoqërisë e do një ombrellë të re politike. Intelektualët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile nuk mund të hyjnë në grupin punues apo në trupat teknik e logjistik të opozitës së bashkuar. Ne duam ta zgjerojmë frontin. Prandaj është e nevojshme një alternativë politike e qytetare. Për të ecur edhe më shumë edhe më shpejt bashkë ka nevojë për vendimmarrje të përbashkët. As kjo nuk bëhet dot me grup punues, por me alternativën e përbashkët shoqërore e qytetare”, shkruan Tahiri.

Vetëvendosje, sipas Tahirit, është subjekti më i hapur për bashkëpunim dhe bashkërendim. Ai shton se për ndryshime të mëdha duhet kaluar veten.

“VETËVENDOSJE! është subjekti më i hapur për bashkëpunim dhe bashkërendim. Nuk është e rastësishme që pikërisht kur VETËVENDOSJE! u bë subjekti më i madh opozitar, kjo rezultoi me opozitë të bashkuar. VETËVENDOSJE! nuk e ka qëllim vetveten. Për ndryshimet e mëdha e të thella në Kosovë, duhet tejkaluar veten. Kjo duhet kuptuar si nga subjektet po ashtu edhe nga individët që bëhen bashkë në alternativë”, përfundon Tahiri.

Exit mobile version