Site icon Telegrafi

Shoqëria civile në mbrojtje të profesorit Arben Hajrullahu, letër të hapur MASHT-it dhe UP-së

Drejtues të shoqërisë i kanë drejtuar sot një letre të hapur Ministrisë së Arsimit, Këshillit drejtues dhe Senatit të Universitetit të Prishtinës lidhur me shqetësimin e tyre për procesin e avancimeve në Universitetin e Prishtinës, ndërsa shprehen se rasti i fundit i profesor Arben Hajrullahut është sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.

Lexo po ashtu Profesorë të universiteteve evropiane dhe amerikane letër publike rektorit Dema: Të ndalohen keqpërdorimet në UP
Lexo po ashtu I rishpallet konkursi profesorit që ka kryer post-doktoratën në SHBA

Në letër thuhet se arsyet e dhëna për anulimin e konkursit ku ka konkurruar profesor Hajrullahu janë të papranueshme.

Lexoni të plotë letrën drejtuar MAShT-it, Këshillit Drejtues dhe Senatit të UP-së

“Me shqetësim të thellë po e përcjellim procesin e avancimeve në Universitetin e Prishtinës dhe rastet e veçanta të shkeljeve që tashmë janë evidentuar nga agjensitë e pavarura, organizatat që merren me arsim në Kosovë dhe vet Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në letrën dërguar rektorit Dema më 8 mars 2017.

Rasti i fundit i profesor Arben Hajrullahut në konsideratën tonëështë sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së stafit akademik të Universitetit të Prishtinës. Profesor Hajrullahu ka zhvilluar gjithë studimet e tij në Vjenë si ato bazike ashtu edhe ato të doktoratës. Ai ka qenë përfitues i bursës prestigjioze Fullbright, ndërsa punimi i tij i doktoraturës është përkthyer në disa gjuhë.

Arsyet e dhëna për anulimin e konkursit ku ka konkurruar profesor Hajrullahu janë të papranueshme. Të thuhet që profesori i doktoruar në Vjenë, me doktoratë të nostrifikuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dyshohet se nuk e ka të përfunduar nivelin bachelor të studimeve, përveç që përbën një akt tendencioz është poashtu fyes për opinionin publik, për institucionet e Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës.

Praktika të tilla të spastrimit të zërave kritikë duhet të ndalen në institucionet publike të vendit tonë e në veçanti në Universitetin e Prishtinës i cili është i njohur si një institucion që ka lindur dhe është zhvilluar në përpjekje të përforcimit të lirisë së qytetarëe të dikur shtypur të Kosovës.

Ne kërkojmë që institucionet relevante të ndërhyjnë sa më parë në Universitetin e Prishtinës për të hetuar të gjitha rastet e dyshimta dhe për të zbatuar ligjet në fuqi.

Në të kundërt, vazhdimi i këtyre praktikave do të prodhojë reaksion qytetar e si rrjedhim kriza të reja në Universitetin e Prishtinës”.

Letra është drejtuar në emër të Arton Demhasaj – Çohu; Ares Shporta; Albert Heta; Besa Luzha; Granit Gashi; Ilir Bajri; Igballe Rogova; Jeton Neziraj; Kushtrim Koliqi – Integra; Numizmatika Kosova; Petrit Gora; Rron Gjinovci – ORCA; Sali Shoshi; Selatin Kaçaniku; Shkelzen Gashi; Shkelzen Maliqi; Shpend Emini – D4D; Vullnet Sanaja”. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version