Pesë shoqata të ndryshme të gazetarëve sot kanë dorëzuar në Kuvend, propozimin për reforma në media të ndërmjetësuesit belg, Peter Vanhoutte, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Këto shoqata kërkojnë që deputetët ta pranojnë këtë propozim ashtu siç është, ndërkaq Naser Selmani nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), deklaron se gazetarët janë në pritje që ky propozim të diskutohet seriozisht në Kuvend, ku do të përfshihen edhe organizatat e mediave.
Sindikata e pavarur e gazetarëve, Këshilli i etikës, SHGM-ja, Instituti i mediave dhe ai për studime të komunikimit thonë se do përkushtohen jo vetëm në ndryshimin e ligjit, por edhe për implementimin efikas të tij.
Ndryshe, vetëm PDSH-ja e ka përkrahur propozimin e ndërmjetësuesit Vanhoutte, ndërkaq VMRO-DPMNE-ja është kundër përfshirjes së tij në bisedime. LSDM-ja ka propozuar ndryshime në ligjin ekzistues, kurse BDI-ja ka deklaruar se janë në përgatitje të një propozimi, por pa dhënë detaje shtesë./Telegrafi/