Site icon Telegrafi

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve: Rreth një e treta e qytetarëve në Kosovë nuk marrin shërbime shëndetësore

Rreth një e treta e popullatës në Kosovë nuk marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore, ndërsa 18 për qind e popullatës nuk kërkojnë fare shërbime shëndetësore për shkak të vështirësive financiare. Bazuar në këto shifra u theksuar si tejet e nevojshme të fillohet me sigurimet shëndetësore në Kosovës, e nga institucionet përgjegjëse u tha se do ketë lëvizje në këtë drejtim.

Kështu u tha në tryezën “Sigurimet Shëndetësore po fillojnë?!” e organizuara nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) me rastin e shënimit të Ditës së Mbulimit Universal të Shërbimeve Shëndetësore.

Përfaqësuesi i PRAK-ut, Fadil Kryeziu u shpreh se ndonëse qeveritë kanë ndërruar vazhdimisht në aspektin e sigurimeve shëndetësore nuk ka pasur asnjë lëvizje.

Kryeziu theksoi se shumë qytetarë në Kosovë nuk kanë arritur të marrin shërbime shëndetësore sidomos tani edhe gjatë ballafaqimit me pandeminë COVID-19.

“Në vendin tonë del se shumë qytetarë mbeten pa marr kujdesin shëndetësor, hulumtime të ndryshme edhe të Shoqatës sonë edhe të institucioneve të tjera flasin se gjatë kësaj kohe një pjesë e mirë e qytetarëve kanë mbetur pa mbuluar me shërbime shëndetësore. Raporti i Progresit thekson edhe më tej se 1/3 e popullatës në Kosovë nuk merr shërbimin e nevojshëm shëndetësor, ndërsa 18 për qind e popullatës nuk kërkojnë fare shërbim shëndetësor për shkak të vështirësive financiare edhe hulumtimet tona rreth shërbimeve shëndetësore gjatë kohës së pandemisë vetëm sa e ka thelluar këtë problem mbulueshmërinë shëndetësore”, theksoi Kryeziu.

Por, Jusuf Ulaj këshilltar për shëndetësi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti u shpreh se si ekzekutiv do të lëvizin me një dinamik tjetër për të nisur zbatimin e sigurimeve shëndetësore.

Ai tha se do krijohet një grup punues në kuadër të Qeverisë për të analizuar punën e bërë dhe për të vendosur se si do vazhdohet tutje në këtë drejtim.

Ulaj shtoi tha se mosfunksionalizimi i Bordit Mbikëqyrës së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore tregon se duhet të merren me urgjencë me këtë aspekt.

“Ajo që e ka ngadalësuar pak këtë proces është e dhe koha e pandemisë dhe tash po bëhen 2 vite me pandeminë dhe natyrisht që fokusi i gjithë strukturave ka qenë në pandemi dhe luftimin e saj, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të ndalemi dhe të merremi vetëm me pandeminë dhe gjërat e tjera të ngecin kështu që alternativën qeverisëse dhe në planin qeverisës të kësaj qeverie ne do të lëvizim përpara natyrisht me një dinamik tjetër dhe besoj që do të formohet një grup punues tjetër në kuadër të Qeverisë i cili do bëjë analizën e asaj që bërë deri tani dhe do caktohet një dinamik e zhvillimeve të mëtutjeshme drejt rregullimit të sigurimeve shëndetësore, fillimisht duhet të punohet në infrastrukturën ligjore, ligjet tashmë kanë nevojë të rishikohen nga profesionistët e fushës pastaj siç e kemi prioritet edhe Sistemin Informativ Shëndetësor i cili po ashtu zvarritet me vite të tëra, dhe bashkërisht të fillojmë të bëjmë një dinamikë kohore se kur sigurime shëndetësore do të realizohen”, theksoi ai.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, u shpreh se ndërhyrja në ligje është e domosdoshme.

“Sigurimet shëndetësore publike është një nga prioritet kryesore të Qeverisë dhe në planin Qeverisës së Kosovës, ku ne do të ndërhyjmë në ligje sepse e do edhe koha që të jemi në nivel bashkëkohor që të fuqizohet kapaciteti administrativ njerëzor, infrastrukturor si kusht për fillimin e grumbullimit të kontributeve. Prioritet do të jetë regjistri qendror i institucioneve private dhe publike që ofrojnë shërbime shëndetësore është lista e pacientëve ku ne kemi edhe grupin e formuar që do të punojë për mënyrën se si do bëhet zoonimi do jetë regjistri i shërbimeve, ku do të përfshihet vëllimi i shërbimeve që ofron do jetë çmimorja e shërbimeve të tilla, çmimorja e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore të cilat janë pararendëse që të fillojmë edhe tek mbledhja e kontributeve për sigurime shëndetësore”, u shpreh Berisha.

Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim e OKB-së në Kosovë, u shpreh se pandemia COVID-19 ka treguar për nevojën për investime në sektorin e shëndetësisë.

Ajo u shpreh se në mungesë së sigurimeve shëndetësore në Kosovë pacientët e atakuar nga COVID-19 shërbimet shëndetësore i kanë mbuluar nga xhepi i tyre.

“Përkundër shumë dobësive Kosova ka bërë menaxhimin shumë të mirë të të pjesës së pandemisë dhe mendoj se për shkak të faktit se nuk kemi sigurime shëndetësore të sigurisë publike dhe natyrisht që është një limitim mjaftë i madh për personat që të jenë në gjendje që të kenë qasje në kujdesin shëndetësor, sepse nëse shohim Evropën dhe jashtë shpenzimeve të xhepit pra të dhënat nuk janë aq të fuqishme në Kosovë ka shumë boshllëqe sa i përket të të dhënave, por për familjet individuale është më e larta në Evropë që i kanë pasuar të gjitha vetë ato shpenzime dhe ndoshta është njëra prej më të larta kam qenë dëshmitare se si personat, familjet kanë bërë shpenzime marramendëse për Remdesivir që e kanë porositur online dhe nëse kanë shkuar në spital kanë menduar se nuk do jetë në dispozicion”, tha ajo.

Richardson po ashtu theksoi se vetëm 7 për qind e grave dhe 12 për qind e burrave në Kosovë kanë sigurime shëndetësore.

“Shëndetësia, kujdesi shëndetësor është e drejtë në Kushtetutën e Kosovës dhe nuk duhet që të jetë problem për personat dhe nëse e shohim në mënyrë botërore dimë gjysma kanë pjesërisht qasje në shërbime shëndetësore, në Kosovë të dhënat na tregojnë se 1/5 e popullatës ka qasje të limituar në kujdesin shëndetësor dhe statistikat multidimensionale dhe raportet e UNICEF që ka bërë dhe ka mbuluar 2019-2020 na kanë treguar se vetëm 7 për qind të grave, 15 për qind, 18 për qind dhe 12 për qind të burrave të njëjtë moshë janë të mbuluar me sigurim shëndetësor”, theksoi Richarsdon.

Kjo tryezë e organizuar nga PRAK u mbështet edhe nga UNFPA-ja. /KP/

Exit mobile version