Përmes një kumtese për medie, Shoqata e malazezëve të Kosovës njofton se do të marrë pjesë në debatin shkencor kushtuar Marrëveshjes për demarkacion Kosovë Mal i Zi.
Debati, sipas paralajmërimeve të mëhershme, do të mbahet në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës më 3 gusht.
Një ditë pas këtij debati, më 4 gusht, pritet vënia në votim për ratifikim të kësaj marrëveshjeje në seancën parlamentare.
Marrëveshja për Demarkacion ka shkaktuar plasaritje shumë të mëdha ndërmjet pozitës dhe opozitës.
Opozita thotë se me këtë demarkacion territori i Kosovës humb mbi 8 mijë hektarë tokë, ndërsa krejt të kundërtën e pohon pozita, transmeton Koha.net.
Kumtesa e Shoqatës së malazezëve të Kosovës, që udhëhiqet nga Slobodan Vujiçiq, thotë se pjesëmarrja e saj në këtë debat tregon, siç thotë kumtesa, “respektimin dhe përkushtimin e shtetit të Kosovës që të avancojë pozitën e malazezëve autoktonë të Kosovës dhe që neve të na përfshijë në zgjidhjen e çështjeve më të ndjeshme shtetërore”.
“Kështu, thotë kumtesa, Prishtina edhe një herë ka dërguar sinjal të qartë se bashkësinë malazeze e trajton të barabartë me të gjitha bashkësitë tjera dhe Unioni i malazezëve në Kosovë është urë lidhëse ndërmjet dy fqinjëve të mirë të shteteve Kosovë dhe Mali i Zi.
Ko shoqatë në javën e shkuar ka organizuar, po ashtu, një debat për demarkacionin dhe nga aty ka dalë me propozimin që Marrëveshja të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës e më pas të dy vendet të fillojnë matjet eventuale për territoret e kontestuar.
Pjesëmarrësit opozitarë të këtij debati e kishin kundërshtuar këtë propozim.
Ata këmbëngulin përmirësim të Marrëveshjes para se ajo të ratifikohet.
Debatin për demarkacion e ka thirrur kryetari Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli .
Në debat pritet të marrin pjesë ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile e të partive opozitare si dha ata të institucioneve të vendit.
Marrëveshja për demarkacion Kosovë – Mali i Zi është nënshkruar në Vjenë më 25 gusht 2015.
Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen .