Site icon Telegrafi

Shokët që ëndërrojnë trofeun e “Oscarit”

Zilja i ka zgjuar në orën shtatë të mëngjesit si çdo ditë tjetër të javës. Por e premtja nuk ishte ditë si të tjerat, shkruan sot Koha Ditore.

Befasi e urime të shumta do t’i prisnin në momentin që do të bënin hapin e parë në oborrin e shkollës.

Do të përshëndeteshin edhe nga njerëz që më parë nuk i kanë njohur a takuar, e disa të tjerë, qoftë me shaka a me qëllim, do t’u kërkonin autografe.

Të dy janë 13-vjeçarë. Por jeta e Lum Veselit e Andi Bajgorës, protagonistë të filmit të shkurtër “Shok”, ka ndryshuar prej momentit kur të enjten filmi shënoi një hap historik për kinematografinë e Kosovës, duke u bërë i pari realizim filmik që nominohet për “Oscar”.

Kur i kishte ardhur radha shpalosjes së nominimeve për “Best Action Short Film” – kategoria ku është i nominuar “Shok” bashkë me katër të tjerë – derisa në ekranin e madh ishte shfaqur emri i filmit kosovaro-britanik, kishin qenë në pyetje vetëm 15 sekonda.

Por për Veselin e Bajgorën ishin momentet më të gjata e plot ankth. Këta sekonda kanë shënuar kthesë jo vetëm në jetën e tyre, por edhe për Kosovën.

Exit mobile version