Shoferi polak i kamionit të vdekjes të përplasur mbi tregun e Krishtlindjes në Berlin ka luftuar deri në fund me agresorin, thotë gazeta gjermane “Bild”, e cila citon edhe burime pranë hetimit të pohojnë se kamionisti mund të ketë qenë ende gjallë, në momentin kur mjeti i është drejtuar turmës së njerëzve.
37-vjeçari duket se është përpjekur ta devijojë kamionin duke u kapur pas timonit.
Në trupin e Lukasz Urban janë gjetur edhe prerje thike, përpos plagës nga një armë zjarri, e cila i ka marrë edhe jetën.
“Ka shumë mundësi që të jenë përleshur”, shkruan tabloidi.
Shoferi polak i kamionit të vdekjes të përplasur mbi tregun e Krishtlindjes në Berlin ka luftuar deri në fund me agresorin, thotë gazeta gjermane “Bild”, e cila citon edhe burime pranë hetimit të pohojnë se kamionisti mund të ketë qenë ende gjallë, në momentin kur mjeti i është drejtuar turmës së njerëzve.
Sipas “Bild”-it, atentatori mund të ketë përdorur rrjetin e metrosë për t’u larguar nga vendngjarja. Njeriu që u fajësua fillimisht për ngjarjen, pakistanezi 23-vjeçar Naved Baluch, u ndalua vetëm sepse një dëshmitar e pa të shkelte rregullat e trafikut.
I riu që mohoi çdo përfshirje nuk kishte gjak në rroba, asnjë lëndim në trup dhe në kamion nuk u gjetën gjurmë të ADN-së së tij. Shërbimet e sigurisë njoftuan pas kësaj publikun se vrasësi i vërtetë i ISIS-it është në arrati dhe i armatosur.
Sot, kur Berlini vajton 12 viktimat e sulmit, policia e ka rritur ndjeshëm vigjilencën në mesin e shqetësimeve mbi një atentat të dytë.
Megjithatë ka edhe nga ata gjermanë që zgjedhin ta sfidojnë frikën, përcjell TCH.
“Ne do të vazhdojmë t’i vizitojmë tregjet e Krishtlindjes, do të vazhdojmë të marrim trenat e avionët. Duhet të mësohemi t’i mbijetojmë këtij kërcënimi. Nuk duhet të kemi frikë prej tyre, kurrë”, tha Holger Paetzeldt, banor i Berlinit.
Pas ngjarjes së Berlinit, Belgjika, një vend i shënjestruar jo pak prej militantëve të Shtetit Islamik, i ka forcuar gjithashtu masat e sigurisë tani në prag festash, e të njëjtën gjë kanë bërë edhe autoritetet në Londër dhe në Nju Jork.