Videoja rrëqethëse e siguruar dhe publikuar nga New York Post, ka zgjidhur misterin e asaj se çfarë në të vërtetë kishte ndodhur me gruan, e cila ishte shtypur për vdekje gjatë të premtes së kaluar në një rrugë të Brooklyn.
Ajo fillimisht ishte goditur nga “luga” e ekskavatorit, dhe më pas shoferi duke mos e vërejtur fare kishte vazhduar rrugëtimin duke e futur nën rrota, transmeton Telegrafi.
Në video shihet punonjësi i një kompanie ndërtimore duke goditur me lugë të ekskavatorit 61-vjeçaren Estelle Davis, ku nga goditja e fuqishme e përplas për tokë dhe më pas e tërheq zvarrë nëpër rrugë.
Është interesant se si shoferi i ekskavatorit e as një punonjësi tjetër nuk e vërejnë gruan, që rrëzohet dhe zhduket nën mjetin e rëndë transportues.
Megjithatë, pasi largohet ekskavatori shfaqet trupi i gruas së shtrirë në rrugë e cila kishte mbetur e vdekur në vend, por që këtë e kishin konfirmuar mjekët me të dërguar në spital.
Policia fillimisht kishte njoftuar se viktima mund të jetë goditur nga një veturë, dhe kështu kishin vazhduar hetimet lidhur me incidentin. E deri më tani askush nuk është arrestuar lidhur me këtë çështje. /Telegrafi/