Site icon Telegrafi

Shkurtimi i fushatës zgjedhore i pamundur, Cakolli: Partitë politike të dakordohen për anulim të tubimeve publike me qytetarët

Gjendja e rënduar shkaku i pandemisë COVID-19, ka bërë që subjektet politike të dalin me disa propozime për shkurtim të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot përmes një letre drejtuar kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, atij të PDK-së Memli Krasniqit, dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar që fushata zgjedhore të shkurtohet nga 30 ditë në vetëm 10 ditë.

Pas kësaj kërkese është përgjigjur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili tha se fushata zgjedhore duhet të shkurtohet jo në 10 ditë por në 5 ditë. E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh se të gjithë duhet ta kemi prioritet mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe se duhet të bisedohet për shkurtim të fushatës zgjedhore.

Lexo po ashtu Abdixhiku letër publike liderëve partiakë: Ta shkurtojmë fushatën dhe përballjen politike ta bëjmë përmes debateve në media

Por një gjë e tillë po del të jetë e pamundur, pasi që ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është e pamundur të ndryshohet dy javë para fillimit të fushatës. Kështu ka deklaruar për Telegrafin, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

“Ditëve të fundit ka pasur kërkesa që kanë ardhur si nga akterët politik por edhe nga akterët e jashtëm për mundësinë mbase të shtyrjes së zgjedhjeve  e që pastaj janë orientuar vetëm në mundësinë e shkurtimit të periudhës së fushatës zgjedhore. Përkundër qëllimit të mirë që mund të kenë këto kërkesa, çështja e shkurtimit të fushatës zgjedhore është e karakterit ligjor për shkak se me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme është e destinuar qartazi që periudha e fushatës zgjedhore është 30 ditë, dhe cfarëdo iniciative për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në këtë kohë do të binte ndesh me parimin e mosndrrimit të rregullave të lojës gjatë saj, që është edhe si parim një prej elementeve kryesore të Kodit të praktikës së mirë në çështje zgjedhore të komisionit të Venecias”, tha Cakolli.

Ai shtoi se në anën tjetër ajo çfarë subjektet politike sipas tij janë duke e keqinterpretuar mbase qëllimisht ka të bëjë me tubimet politike.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kur flet për fushatën zgjedhore në afatin 30 ditor nuk përcakton që domosdo duhet të ketë tubime publike të subjekteve politike. Aktivitet i fushatës aty llogaritet çfarëdo aktiviteti me anë të së cilit subjektet politike apo kandidatët kërkojnë votën e qytetarëve dhe shpalosin programin e tyre”, tha Cakolli për Telegrafin.

Lexo po ashtu Haradinaj i përgjigjet Abdixhikut: Fushata për zgjedhjet lokale të shkurtohet në pesë ditë, jo në 10

Cakolli propozoi që subjektet politike në këtë periudhë do të duhej të dakordoheshin për anulim të tubimeve publike me qytetarët, dhe që fushatën zgjedhore ta bëjnë përmes rrjeteve sociale dhe debateve televizive.

“Në këtë drejtim në vend që të ketë shkurtim të periudhës të fushatës, do të ishte mirë që partitë politike të dakordohen që të njëjtat nuk do të mbajnë fare tubime publike me qytetarët dhe që do të ndryshojnë formatin e të bërit fushatë duke u zhvendosur drejt rrjeteve sociale e sidomos debateve televizive në mes kandidatëve të cilat shpesh herë i kanë munguar proceseve zgjedhore në Kosovë”, tha Cakolli.

Ai shtoi se në rast që subjektet politike nuk bien dakord për një gjë të tillë, atëherë Ministria e Shëndetësisë, respektivisht Qeveria e Kosovës do të duhej t’i ndalonin të gjitha tubimet.

“Në rast se partitë politike nuk arrijnë të gjejnë një dakordim për këtë çështje, unë mendoj që Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të përsëriste gabimin e procesit të kaluar zgjedhor të 14 shkurtit, kur masat u liruan në mes të pandemisë dhe pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore në mënyrë që t’iu lejohet një numri më të madh qytetarëve të marrin pjesë në këto aktivitete. Unë konsideroj se Ministria e Shëndetësisë do të duhej ti anulonte të gjitha llojet e tubimeve sidomos në hapësirat e mbyllura, duke e ditur se në periudhën ku do të mbahet fushata moti do të jetë më i ftohtë që do të nënkuptonte numër më të vogël të qytetarëve në hapësirat e hapura”, u shpreh Cakolli.

Cakolli theksoi se  opsioni tjetër i cili do të duhej të merrej në konsideratë nga partitë politike, do të ishte arritja e një dakrodimi që përgjatë 30 ditëve të fushatës të organizohen debate televizive ku do të merrnin pjesë të gjithë kandidatët sidomos ata për kryetar të komunave.

Lexo po ashtu Krasniqi i përgjigjet Abdixhikut: Shkurtimi i fushatës zgjedhore duhet të trajtohet dhe të marrim vendim

“Shkurtimi i fushatës në dhjetë ditë apo pesë siq është propozuar do të cenonte të drejtën e kandidatëve sidomos për kuvendet komunale për të shpalos pikëpamjet e tyre, ne nuk duhet të harrojmë që do të kemi mijëra kandidatë për kuvendet komunale që do ti futen garës. Fakti që fushata do të mbahej 10 ditë nuk do të përbënte asnjë garanci se nuk do të kishim esklaim të situatës me pandeminë, pasi që edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit fushata ka qenë e shkurtuar por nuk ka pasur respektim të masave”, tha ai.

Ndryshe zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor 2021, kurse fushata është paraparë të nis më 15 shtator. /Telegrafi/

Exit mobile version