Këngëtarja e njohur Shkurte Fejza njihet si këngëtarja e cila i ka kënduar vendit, patriotëve shqiptarë por edhe luftës.
Megjithatë, këngëtarja e muzikës popullore duket se nuk është shumë e kënaqur me ata në dorën e të cilëve ra Kosova.
Këtu është fjala për politikanët, pasi e njëjta gjatë një emisioni televiziv në Report TV, ka thënë se është e zhgënjyer nga elita udhëheqëse në Kosovë.
“Kosova ka pas një fat të keq në udhëheqësi, sidomos pas luftës, para luftës ka qen regjimi serb, pastaj shkoi si shkoi…” ka thënë këngëtarja fillimisht.
Tutje, ajo i ka cilësuar liderët e shtetit si djemtë më të këqinj të Kosovës, e ndërsa thotë se këtë opinionin e ka krijuar nga ajo çfarë ka dëgjuar rreth e rrotull për ta.
“Unë mund ta them kështu: Djemtë më të këqij që i ka vendi janë në elitën udhëheqëse të Kosovës, më vjen shumë keq që po e them, por në bazë të asaj qysh po zhvillohen gjërat, në bazë të asaj që asnjëherë qytetari i Kosovës nuk është i kënaqur me asnjë veprim të vetëm, ka edhe njerëz të mire në fakt që veprojnë, mirëpo në përgjithësi ata që marrin vendime të mëdha janë për të ardhur keq”, ka përfunduar Shkurte Fejza.
Përndryshe, këngëtarja e njohur e muzikës popullore solli javë më parë këngën dhe klipin “Nëna”, projekt ky i cili u prit mirë nga fansat e saj. /Telegrafi/