Shkupi vazhdon edhe të premten të jetë një nga kryeqytetet më të ndotura në botë. Matjet e mbrëmshme në stacionin kryesor të kryeqendrës tregojnë praninë e grimcave PM10 në 638 mikronë në një metër kub, apo më shumë se dhjetë herë mbi normat e lejuara prej 50 mikronë. Kryeqendra e Maqedonisë për nga ndotja është ngjitur në vendin e parë të matjeve ndërkombëtare, duke lënë pas edhe qytetet si Doka të Bangladeshit dhe Kalkutën e Indisë, shkruan REL.
Ndotja e madhe e ajrit ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, ndërsa për të shtunën janë paralajmëruar edhe protesta para Qeverisë, nga e cila kërkojnë masa urgjente për zbutjen e gjendjes së rëndë. Ndotja e ajrit ka rritur edhe numrin e qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Duhet të mendojmë për masa afatgjata, pasi ekspozimi i vazhdueshëm ndaj grimcave PM10 ka pasoja të rënda ndaj shëndetit, konkretisht ndaj mushkërive. Në këtë periudhë kemi rritje të pacientëve që ankohen me problemet e frymëmarrjes. Veç institucioneve, masa duhet të ndërmerren edhe nga prindërit që të kenë kujdes për fëmijët, t’i nxjerrin në ambient të pastër, si dhe të konsumojnë ushqim sa më natyral”, thotë Angjelko Andonovski, mjek në spitalin e fëmijëve në Shkup.
Autoritetet në vazhdimësi kanë paralajmëruar masa dhe strategji të ndryshme, por që deri tani nuk kanë dhënë rezultate konkrete.
Kreu i Shkupit, Petre Shilegov, thotë se ndotja kryesisht vjen nga automjetet, por edhe nga lëndët djegëse për ngrohje, si dhe faktorë të tjerë.
Drejtuesit e kryeqendrës kanë ndërmarrë masa për pastrimin e rrugëve si dhe tërheqjes e mbeturinave të grumbulluara nëpër zona të ndryshme, por pa ndonjë rezultat konkret. Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, thotë se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk mund të pritet zgjidhje e menjëhershme e problemit.
“Lufta kundër ndotjes nuk është luftë që mund ta fitoni me shtypjen e një butoni. Masat afatshkurtra mund të zbusin gjendjen, por nuk mund ta sanojnë apo të çojnë në përmirësimin dramatik të saj qoftë. Bëhet fjalë për luftë e cila duhet të jetë e përhershme. Në Shkup për fat te keq askush deri më tani nuk është marrë me këtë problematikë në mënyrë sistematike, që ky problem të ketë një zgjidhje të kënaqshme”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.