Shkupin e pret edhe një sezon me ajër shumë të ndotur, reagojnë qytetarët. Stacionet matëse tash dhjetë ditë tregojnë vlera të shtuara të grimcave kancerogjene PM 10 në ajër. Sipas shoqatave ekologjike, vetëdija për denoncimin e ndotësve është ngritur, por ankohen se denoncimet janë thuajse të kota pasi ende nuk ka dënime të shqiptuara.
“Gjatë gjithë kohës deri tani kemi njerëz që nuk u intereson kjo gjë, dhe e dyta, munden të mos punojnë. Pra, vjen, merr rogë, del, shëtitet nëpër qytet dhe nuk kryen asnjë punë, ndërsa këtë ua mundëson ky sistem, sistem i korruptuar ku nuk funksionon asgjë”, deklaroi Petar Boshevski, shoqata ekologjike “Eko-Skopje”.
Përveç asaj që qytetarët kanë denoncuar më kot, edhe inspektorët kot i kanë bërë disa kontrolle, pasi nuk ka ndonjë rregullore mbi cilin nivel të ndotjes ata mund të shqiptojnë dënime. Inspektorët i kanë duart e lidhura, thotë Mirosllav Bogdanovski nga Qyteti i Shkupit, por është i befasuar që askush deri tani nuk ka reaguar.
“Dhjetorin e kaluar iniciuam ndryshim të asaj rregullore deri tek Ministria e Ambientit Jetësor ku oxhakëve deri në 1 megavat do u përcaktoheshin vlera të kufizuara pas tejkalimit të së cilave inspektorët do mund të shqiptojnë dënime dhe të përgatitin procesverbal. Ja, tani jemi muaji tetor, kemi informata se është nënshkruar nga ministri, por rregullorja ende nuk ka dalë”, tha Mirosllav Bogdanovski, inspektorati i Qytetit të Shkupit.
Megjithatë, nga Qyteti i Shkupit thonë se kujdestarët komunal këtë vit kanë dhënë rezultate trefish më shumë se vitin e kaluar. Por një hulumtim i organizatës joqeveritare “Instituti i gjelbër” ka treguar se në Shkup numri i gjobave është shumë i vogël. Instituti organizoi tribunë publike në komunën Qendër për pjesëmarrje të shtuar të qytetarëve në mbikëqyrjen e ndotësve të ajrit. Takime me qytetarët planifikojnë edhe në komunat Aerodrom dhe në Gazi Babë./Alsat/