Paralajmërimi i kryeministrit Zoran Zaev për rënien e Qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse nuk hapen negociatat me Bashkimin Evropian për anëtarësim, sipas njohësve të çështjeve politike, nënkupton futjen e Maqedonisë së Veriut në një krizë të re politike.
Zgjedhjet, sipas analistit, Petar Arsovski do t’i shërbenin Zaevit për të parë nëse ka ose jo mbështetjen e qytetarëve.
“Është e vërtetë se Maqedonia (e Veriut) po hyn në tensione apo krizë të re politike nëse data për negociatat jepet të paktën në korrik. Qeveria mund të bie pasi Zaev mund të humbë shumicën në Kuvend. Ai fillimisht kishte më pak deputetë se OBRM-ja dhe shumicën arriti ta sigurojë për shkak të premtimeve për procesin integrues. Ka tetë deputetë që u shkëputën nga OBRM-ja, por edhe deputet të tjerë të cilët mund t’i largohen për shkak të dështimit për çeljen e negociatave me BE-në. Veç kësaj, Zaev do të tentojë që të sigurojë një mbështetje të re për kursin që po ndjek, që të paktën të lirohen nga presionet me të cilat po përballet”, thotë analisti, Petar Arsovski.
Njohësit e çështjeve politike nuk e përjashtojnë mundësinë që data e negociatave me BE-në të shërbejë vetëm si alibi për kryeministrin, për të ndryshuar tërë Qeverinë për shkak të pamundësinë që të bëjë riformatimin e saj, të paralajmëruar nga vet ai.
Kryeministri Zaev të enjten ka thënë se gjitha opsionet janë në lojë, përfshirë edhe dorëzimin e mandatin dhe marrjen e një mandati të ri nga presidenti i shtetit, për formimin e një kabineti të ri qeverisës.
Ndërkohë, Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike, thotë se kryeministri për mosmarrjen eventuale të datës, duhet të kërkojë përgjegjësi nga institucionet vendore dhe jo të kërcënojë vendet e Bashkimit Evropian. Ai thotë se data mund të mos jepet për shkak të mospërmbushjes së kritereve.
“Bashkimi Evropian ka standarde e norma. Nëse analizohet përmbajtja e Raportit të Progresit, aty kemi katër elemente të rëndësishme: korrupsioni, krimi i organizuar, gjyqësori dhe sundimi i së drejtës. Këto katër obligime aspak nuk janë kryer dhe nëse i shtojmë edhe elementin e pestë atë të Prokurorisë Speciale, atëherë shtrohet pyetja se pse duhet të hapen bisedimet për anëtarësim. Ai duhet të kërcënojë institucionet brenda shtetit që i ka jofunksionale. Kjo nuk është retorikë e kodeksit etik diplomatik, por thjesht një mentalitet maqedonas i humbur që sillet sikur fëmija i lazdruar”, thotë Selmani.
Por, pavarësisht kësaj, disa nga njësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se Maqedonia e Veriut do të marrë datën, por gjasat janë të vogla që kjo të ndodhë brenda vitit.
Malinka Risteva Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane thotë se vendi ndërkohë duhet të ndërtojë një strategji të re dhe të përgatitet për një proces të gjatë. Ajo thotë se edhe sikur të hapen negociatat për anëtarësim në BE, ato do të zgjasin më së paku dhjetë vjet.
“Unë jam e bindur se datën do ta marrim, por kjo nuk do të ndodhë deri në fund të vitit, mundet në fillim të vitit tjetër…duhet të jemi të më zëshëm por edhe të durueshëm. Kemi nevojë për një strategji më afatgjatë, pasi do të jetë një proces i gjatë dhe aspak i lehtë”, thotë Risteva Jordanova, duke theksuar gjithashtu faktin se Maqedonia e Veriut nuk ka një shtet sponsor për ta ndihmuar apo lobuar për procesin e integrimit, siç kishte Kroacia në rrugën e saj të anëtarësimit në BE.
Veç Gjermanisë, Risteva Jordanova thotë se dilema për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut ka Franca, por edhe Holanda, edhe pse kjo e fundit sipas saj po tregohet më e matur në këtë çështje./REL/