Site icon Telegrafi

Shkupi e Sofja përplasen në Pustec, akuza për ndikime në regjistrimin e popullsisë

Eftim Mitrevski, nënkryetari i Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim në intervistë për mediat ka dënuar ardhjen e ambasadorit bullgar në bashkinë e Pustecit, në rajonin e Korçës, duke e cilësuar si presion të hapur në procesin e regjistrimit të popullsisë që ka nisur këtë javë në të gjithë Shqipërinë.

“Është krejtësisht jo normale, është përzierje në punët e brendshme të këtij shteti si vizitë e ambasadorit ashtu dhe zv. presidentes bullgare, ajo duhej përzënë nga Shqipëria, duhej dhënë ultimatum, duhet të linte shtetin shqiptar dhe të dilte jashtë kufijve të Shqipërisë. Si e lejon shteti shqiptar që personalitete të tilla në kohën e Censit të ushtrojnë propagandë këtu, ne jemi qytetarë shqiptarë, mbushim mot 100 vite që ky shtet shqiptar na ka njohur, me institucione, në asnjë dokumente të shtetit shqiptar nuk figuron bullgar. Vizita e ambasadorit bullgar është krejtësisht e gabuar,” u shpreh Mitrevski, raporton Euronews Albania.

Ndërkohë, ambasadori bullgar Ivaylo Kirov jashtë kamerave është shprehur se donacionet e sjella në spitalin e Pustecit janë një projekt i nisur para Censit, i njëjti projekt që ka sjellë dhe mjek me herët.

Sa i takon pritshmërive për rezultatin e Censit (regjstrimit të popullsisë) ai ka shtuar se Bullgaria nuk lufton për numra e kushdo është i mirëpritur për të shprehur etninë e vet e se nuk është qëllimi për të luftuar me vëllezërit e Maqedonisë së Veriut.

Ambasadori bullgar ka vazhduar me tej duke thënë se nuk ndien shqetësim për procesin e Censit por duhet të ndryshojë mënyra sesi njerëzit e shohin Bullgarinë. /Telegrafi/

Exit mobile version