Site icon Telegrafi

Shkupi dhe Tirana në pritje të dritës së gjelbër për fillim të bisedimeve me BE-në

Pas vetos franceze për fillim të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dje në Luksemburg në nivel ministror, sytë e dy vendeve tani janë drejtuar në takimin e ardhshëm të liderëve të BE-së që do të mbahet nesër dhe pasnesër.

Edhe pse i kanë hedhur poshtë akuzat, Franca dje ka mbetur e izoluar në BE në vendimin e saj të bllokojë dritën e gjelbër për fillim të bisedimeve me cilëndo nga dy vendet edhe në çfarëdo forme, derisa nuk ka reformë të metodologjisë së procesit negociues.

Shtetet anëtare të BE-së dje për herë të tretë e kanë anuluar vendimin edhe krahas asaj që në qershor janë angazhuar se në tetor do të kthehen në çështjen dhe do të sjellin “vendim të qartë dhe thelbësor”. Në vend të kësaj, ata nuk arritën të sjellin konkluza për asnjë nga vendet kandidate për anëtarësim në BE, përfshirë edhe Serbinë dhe Malin e Zi të cilët shpresuan të hapin kapituj të ri negociues.

Pas dy raundeve të negociatave dhe disa propozimeve të ndryshme të presidencës finlandeze që të gjendet kompromis, ministrat e jashtëm janë tërhequr dhe kanë kërkuar çështja të hidhet tek shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së. Franca konsideron se në çështjen BE duhet të kthehet në nëntor në Samtin e ardhshëm për punë të përgjithshme, jo në këtë Samit, por presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk megjithatë do ta vendos dosjen në tavolinë.

Presidenca finlandeze do të tentojë të del nga udhëkryqi me propozim për ndarjen veç e veç të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me faktin se Holanda refuzon negociata me Tiranën për shkak të vendimit të Parlamentit të saj, ndërsa Danimarka ka rezerva serioze ndaj fqiut tonë perëndimor.

Por as ky propozim nuk ka mjaftuar për Parisin. Diplomatë francez dje kanë brifuar gazetarët se mbi vendimin për ndarjen, mandat ka vetëm presidenti i shtetit Emanuel Makron.

“Nuk ka dyshim se çdo shtyrje e sërishme do ta dëmtojë kredibilitetin tonë të Ballkanit Perëndimor dhe ambicieve tona të bëhemi lojtar më i fortë, këtu flasim për territorin tonë të brendshëm, nëse në territorin tonë vendor nuk mund të jemi të suksesshëm, atëherë si do të jemi në atë të jashtëm, porositi eurokomisari Johanes Hahn.

Ai shtoi se reformat të cilat po bëhen në vendet kandidate janë “të vështira” dhe nuk përjashtoi mundësi nga pasoja negative nëse sërish shtyhet vendimi në Samitin e BE-së.

“Shpresoj se liderët do ta korrigjojnë këtë gabim, nuk dua të spekuloj, por me rëndësi është të kuptojmë sa reforma të vështira kanë bërë këto vende dhe kredia politike e këtyre të cilat arritën ta bëjnë këtë, nëse ka vendim negativ, nuk mund të përjashtoj se do të shkaktojë dinamika interne, mund vetëm t’u bëj thirrje urgjentisht që të gjithë të fokusohen dhe të mos heqin dorë”, deklaroi Hahn.

Komisari evropian konfirmoi se Franca është ajo e cila kundërshtohet në çdo zgjerim, por nuk mundi të garantojë se deri të enjten presidenti francez Emanuel Makron do të japë dritë të gjelbër.

Kryeministri Zoran Zaev mbetet optimist dhe thotë se për ne është shumë me rëndësi të kemi vendim të pastër për fillim të negociatave.

“Kemi mirëkuptim për metodologjinë e re të negociatave, e cila shteteve do t’u japë mundësi korrekte me performanca të mira që t’i përshpejtojnë proceset negociuese, ndërsa ata të cilët nuk do të kenë performanse të suksesshme, do t’i kthejnë prapa. Por, nuk ekziston vend në 20 vitet e fundit që ka pritur dhe ka marrë vendim të tillë për fillim të negociatave, e të ketë bërë më shumë se ne. Kemi bërë më shumë në reformat, në planin ndërkombëtar dhe bilateral. Nga secili aspekt i mundshëm me të vërtetë jemi shembull edhe për Evropën edhe për botën. Besoj se BE-ja përmes Këshillit evropian këto ditë do ta plotësojë obligimin e vet”, tha kryeministri Zaev.

Liderët e BE-së këto dy ditë do të kenë agjendë të ngjeshur, veçmas në relacion me Mbretërinë e Bashkuar e cila më 31 tetor duhet ta braktis BE-në, ndërsa ende nuk është arritur kompromis mes Londrës dhe Brukselit për modalitetet e Brexiti. Nuk ka dyshim se Brexiti do të jetë temë qendrore në këtë samit dhe se çështja është se në ç’masë do t’i kushtohet vëmendje zgjerimit dhe kandidaturave të Shkupit dhe Tiranës.

Exit mobile version