Shkupi është shndërruar në arenë protestash dhe kundërprotestash, ku janë përfshirë të dy palët, shqiptare dhe ajo maqedonase, transmeton Telegrafi.
Këto protesta kanë nisur disa ditë më parë, kur platforma qytetare ”Hajde”, inicoi vargun e protestave kundër Gjykatës Kushtetuese, për të vazhduar me protestën e BDI-së, si dhe kundërprotestën ndaj BDI-së.
Edhe sot, në Shkup janë mbajtur paralelisht dy protesta, ajo kundër heqjes së themeleve të kryqit dhe tjetra, protesta e radhës e platformës qytetare ”Hajde”, kundër Gjykatës Kushtetuese, për pranimin e iniciativës për ndryshimin e Ligjit për faljen e të dënuarve, ku duhet të përfshihen edhe të dënuarit për parregullësi zgjedhore.
Në këtë protestë u dëgjuan thirrje si ”Dorëheqje”, ”Mirupafshim qeveri kriminale”, etj. Njëri nga aktivistët, Sllavço Dimitrov tha se protesta e sotme dallon për shkak se bëhet për liri, e jo për kryqe dhe shqiponja dhe parti politike.
Ndërkaq, Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit tha se Gjykata Kushtetuese ë bën të kundërtën e asaj që duhet ta bëjë, pra të mbroj Kushtetutën dhe qytetarët./Telegrafi/