Projekti “Shkupi 2014” ka pasur efekte pozitive në ekonominë e ndërtimit. E këtë e ka thënë kryetari i Shoqatës së ndërtuesve pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, Andrea Serafimovski. Sipas tij, ndërtimet në kuadër të këtij projekti, edhe pse nuk kanë përfunduar, ato kanë ndikuar pozitivisht në aspektin e ndërtimtarisë.
“Edhe pse projekti quhet Shkupi 2014, ndërtimet vazhdojnë dhe janë paralajmëruar edhe disa projekte të mëdha dhe sigurisht që ndërtimtaria ka qenë e varur nga ky projekt. Ai ishte i mirëpritur nga të gjithë ndërtuesit, që kanë angazhuar punëtorët dhe resurset e tyre”, tha Serafimovski për TV21.
Sipas tij, efekti më pozitiv ka qenë se ka pasur punësime që janë përfshirë në ndërtimin e projekteve të Shkupi 2014.
Por, Nikolla Pisarev, aktivist i shoqërisë civile thotë se ky projekt ka prodhuar efekte negative.Sipas tij, ky projekt përveç hekurit, çimentos dhe materialeve të tjera që kanë qenë prodhim vendor, gjithçka tjetër është importuar nga jashtë. Ai thotë se turistët nuk vijnë në Shkup për ta parë Shkupin 2014, por pasuri të tjera.
“Njerëzit vijnë në Shkup për ta parë Çarshinë, ata vijnë për të parë rrethinën e Shkupit, Matkën, ndonjë xhami, ndonjë kishë. Ne nuk jemi ndonjë ‘Mekë’ turistike, këtu nuk ka asgjë, sikur ta bënim vetëm një gjë me ato 600 milionë euro, ndoshta do të bëhej ndonjë atraksion turistik, qoftë ajo ndonjë vrimë e thellë 3 kilometra“, thotë Pisarev.
Sipas tij, atraksioni më i madh në Maqedoni është qendra tregtare “ City Mall”, që ka kushtuar mbi 5 milionë euro, por që ka më shumë vizitorë se Shkupi 2014.
Irfan Zeneli, menaxher i agjencisë turistike “Bashak tours” thotë se projekti Shkupi 2014 ka pasur efekte pozitive dhe ka nxitur interesimin e turistëve të huaj.
“Para projektit ne mburreshim vetëm me simbolet historike, ndërsa tani nga projekti 2014 , gjithkush e ka mendimin e vet, ndërsa i imi është që ka ndikuar pozitivisht . Për turistët është më tërheqëse origjinali, do të thotë pjesa e vjetër e qytetit“, thotë Irfan Zeneli.
Për tu njohur me impresionet e turistëve, në qendër të Shkupit takuan një turist amerikan. Ai thotë se më mbresëlënëse është pjesa e vjetër e Shkupit.
“Përshtypjet e mija të para ishte që është vend i vjetër, dukej i vjetër, është mirë. Disa pjesë të qytetit duken moderne, sikur pjesa ku ndodhet qendra tregtare. Nuk di shumë histori për këtë vend, por po bëjmë fotografi dhe më vonë mund ti shikojë në librat e historisë për të parë se çka janë. Më së shumti më pëlqeu Kalaja“, thotë turisti.
Ndërsa për jun lou nga Kina, më interesante është pjesa e re dhe statujat.
“Njerëzit janë shumë të shoqërueshëm dhe qyteti është shumë i mirë, ka dy muaj që jam këtu, preferoj pjesën e re të qytetit, statujat janë shumë të mira“, tha turisti tjetër.
Projekti Shkupi 2014 është një nga projektet e mëdha të ndërtimeve në pjesën kryesore të kryeqytetit,për realizimin e të cilit janë harxhuar mbi 500 milionë euro./Telegrafi/