Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit pasdite u ndanë 15 karroca elektrike për ata që kanë nevojë, nga ana e Shoqatës së personave me nevoja të veçanta “SOS Vita”. Siç ishte sqaruar në ngjarje, bëhet fjalë për donacion nga njerëzit human.
Kryetari i Shoqatës, Ertan Shaqiri, tha se pesë vite e gjysmë të fundit prej kur ekziston “SOS Vita”, janë ndarë 170 karroca elektrike për personat me nevojë.
“Unë dëshiroj që personat me nevoja të veçanta të mos shihen me sy të ndryshëm, por njësoj si gjithë të tjerët. Shaqiri mes tjerash tha se duhet të ketë qasje në institucionet për personat me aftësi të kufizuara.
Ai theksoi se ngjarjet e tilla humane me të cilat u lehtësohet jeta njerëzve me aftësi të kufizuara, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Tridhjetë e një vjet jam në karrocë dhe shumë mirë e di se si është jeta e një personi me aftësi të kufizuara”, shtoi Shaqiri.
Deputeti dhe ish ministër i Shëndetësisë Bekim Sali në një deklaratë për mediat tha se përgjegjësia e politikanëve nuk është vetëm zhvillim ekonomik dhe integrim në Bashkimin Evropian. Ai tha se është i pranishëm në ngjarje për të dhënë mesazh se edhe këta persona janë pjesë e shoqërisë. Për fat të keq, shtoi Sali, harrojmë se edhe ne mund të jemi në vendin e tyre.
“Përgjegjësia e politikanëve nuk është vetëm zhvillimi ekonomik ose integrimi në Bashkimin Evropian dhe ashtu më tutje, të cilat janë bërë agjenda kryesore e të gjitha lajmeve, të gjitha ngjarjeve. Ftesat e tilla të organizatave joqeveritare janë pjesë e ndërgjegjësimit të politikanëve”, ishte vendimtar Sali.
Ai shtoi se institucionet më shumë duhet të fokusohen në mundësimin e kushteve më të mira për personat me aftësi të kufizuara.
“Institucionet nuk duhet t’i lënë pas dore këto grupe”, theksoi Sali.