Telegrafi

Shkumbin Ahmetxhekaj radhitet i pari pas intervistimit për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) në procesin  për përzgjedhjen e  Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, të mërkurën ka përmbyllur procesin e intervistimit dhe të vlerësimit të kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, ku më së shumti pikë ka marrë Shkumbin Ahmetxhekaj – i cili aktualisht e ushtron detyrën e drejtorit.

Sipas njoftimit, në procesin e intervistimit janë paraqitur nëntë kandidatë, kurse një kandidate nuk e ka vazhduar garën duke u tërhequr nga gara në ditën e intervistimit.

Në kuadër të transparencës dhe mbarëvajtjes sa më të mirë dhe korrekte të procesit, rreth gjysmë ore para se të fillojnë intervistat, Bordi i RTK-së, në prani dhe bashkë me monitoruesit, kanë përpiluar gjashtë pyetje për kandidatët, thuhet në njoftim.

Procesi i intervistimit është bërë në prani të monitoruesve nga organizatave vendore ( BIRN, FOL) dhe ato ndërkombëtare ( Zyra e BE-së, OSBE) anëtarëve të tri sindikatave ta RTK-së dhe një qytetari.

Procesi i intervistimit ka qenë i ndarë ne dy pjesë, ku në pjesën e parë kandidatët kanë prezantuar konceptin strategjik për zhvillimin e RTK-së, ndërsa në pjesën e dytë ata janë përgjigjur në gjashtë pyetjet e njëjta.

Secili anëtar i Bordit  vlerësimin e ka bërë në mënyrë të pavarur për secilën pyetje. Gjithashtu, në kuadër të transparencës dhe vlerësimit korrekt, anëtarët e Bordit e kanë arsyetuar vlerësimin për secilën pyetje para anëtarëve të tjerë të bordit dhe monitoruesve.

Bashkangjitur mund të gjeni listën me rezultatet për secilin kandidat, për secilën pyetje dhe vlerësimin për strategjinë.

Bazuar në rregulloren për procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të larët të RTK-së, votimi do të mbahet në mbledhjen e radhës të Bordit të RTK-së.