Site icon Telegrafi

Shkrumbohet nga zjarri ish-fabrika e barnave në Prizren

Ish-fabrika e barnave “Farmakos” në Komunën e Prizrenit, është djegur të shtunën mbrëma.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, ka bërë të ditur se nga ky incident nuk ka pasur persona të lënduar.

“Policia dhe zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes dhe përveç dëmeve materiale nuk ka persona të lënduar. Ende nuk dihen shkaqet dhe dëmet e sakta nga zjarri”, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtori për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se zjarri duket të jetë shkaktuar “me qëllim”.

“Sonte rreth orës 19:00 jemi njoftuar që është përhapur një zjarre në ish fabrikën e barnave “Farmakos”, që duket të jetë shkaktuar me qëllim. Objekti është djegur në tërësi, fatmirësisht lëndime në njerëz nuk ka”, ka shkruar ai.

Më tej ka thënë se jeta dhe prona e qytetarëve të Komunës së Prizrenit po rrezikohet seriozisht si pasojë e numrit të vogël të zjarrfikësve e cila bllokohet tash e më shumë se një vit nga ana e Agjensionit për Menaxhim të Emergjencave (AME).

“Përderisa zjarrfikësit edhe jashtë orarit të punës angazhohen gati çdo të dytën ditë në ruajtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, Agjensioni për Menaxhim të Emergjencave ka më shumë se një vit që bllokon qëllimisht procedurën e rekrutimit të 30 zjarrfikësve të rregullt siç edhe është përcaktuar me ligj. MPB duhet urgjentisht të marrë masa në ndaj përgjegjësve që bojkotojnë institucionet e sigurisë”, ka theksuar Dakaj./Telegrafi/

Exit mobile version