Site icon Telegrafi

A i shkrini depozitat e yndyrës gjatë rrezitjes në diell? Përgjigjja mund t’ju habisë

Nëse jeni duke djersitur ndërsa jeni shtrirë në diell, mund të mendoni se jeni duke djegur kalori. Megjithatë, vetëm djersitja nuk djeg kalori ose nuk do të thotë që ju humbni peshë, përveç luhatjeve të përkohshme në peshë për shkak të humbjes së ujit

Megjithatë, ka dy gjëra që ndodhin si rezultat i djersitjes gjatë rrezitjes në diell – rregullimi i nxehtësisë dhe ngadalësimi i metabolizmit.

Rregullimi i nxehtësisë

Njerëzit, si të gjithë gjitarët, janë me gjak të nxehtë, që do të thotë se ata e rregullojnë vetë temperaturën e trupit. Kur trupi juaj ndien se është në një mjedis shumë të nxehtë ose shumë të ftohtë, ai merr masa për të rregulluar temperaturën – dridhje në një mjedis të ftohtë ose djersitje në një mjedis të ngrohtë.

Reagime të tjera fizike ndaj temperaturës së lartë mund të përfshijnë relaksimin e muskujve dhe ngadalësim të metabolizmit, shkruan Journal of Experimental Biology, përcjell Telegrafi.

Ngadalësimi i metabolizmit

Metabolizmi është procesi me të cilin trupi e shndërron ushqimin në energji dhe e furnizon atë me qelizat. Kjo energji mund të vijë nga vaktet ose nga rezervat e ruajtura në trup si ind dhjamor.

Sasia e energjisë që ju nevojitet varet nga niveli i aktivitetit tuaj fizik. Trupi në pushim kërkon një nivel minimal të energjisë për të mbajtur funksionet themelore të trupit, i cili njihet si shkalla e metabolizmit bazal (BMR), shkruan Klinika Mayo.

Kur trupi është i ngrohtë dhe në pushim, BMR zvogëlohet, që do të thotë se i duhen më pak kalori për të ruajtur funksionet. Dhe meqenëse rrezitja përfshin shtrirjen pa lëvizje në diell, kërkon shumë pak energji. Me fjalë të tjera, qëndrimi në diell nuk djeg shumë kalori.

Bërja e diellit djeg kalori vetëm në një kuptim të përgjithshëm si çdo aktivitet tjetër. Trupi juaj madje djeg një numër të vogël kalorish thjesht duke marrë frymë, duke tretur ushqimin dhe duke fjetur, shkruan Harvard Health Publishing.

A i djeg depozitat e yndyrës rrezitja në diell?

Edhe pse qëndrimi në diell nuk djeg kalori, ka disa prova shkencore që ekspozimi ndaj dritës së diellit ndihmon trupin të djegë më shumë yndyrë. Për shembull, një studim i nëntorit 2017 i publikuar në Scientific Reports arriti në përfundimin se rrezet blu të dritës së diellit ndihmojnë në tkurrjen e qelizave yndyrore (të bardha) të vendosura pak nën sipërfaqen e lëkurës.

Zbulimi ishte i rastësishëm. Studiuesit në Universitetin e Albertës në Kanada janë përpjekur të ndihmojnë njerëzit me diabet të tipit 1 duke modifikuar gjenetikisht qelizat dhjamore për të prodhuar insulinë kur ekspozohen ndaj dritës. Gjatë rrugës, ata zbuluan se ekspozimi në diell në fakt redukton pikat e lipideve në qelizat yndyrore nën lëkurë dhe bën që ato qeliza të ruajnë më pak yndyrë.

Megjithatë, studiuesit vunë në dukje gjithashtu se nevojiten më shumë studime në këtë fushë dhe se intensiteti ose kohëzgjatja e dritës së diellit që nevojitet për të aktivizuar këtë proces nuk dihet ende.

Masa paraprake

Ekspozimi i zgjatur në diell në pjesën më të nxehtë të ditës mund të çojë në djegie dhe kancer të lëkurës. Për shkak të kësaj dhe faktit që rrezet e diellit nuk djegin kalori shtesë, zgjidhja më e mirë për humbjen e yndyrës është stërvitja e rregullt dhe një dietë e ekuilibruar. /Telegrafi/

Exit mobile version