Site icon Telegrafi

Shkrimtarja e re Mehreme Goliqi nga Lipjani me katër libra të botuara deri tash

18 vjeçarja Mehreme Goliqi nga komuna e Lipjanit, është një vajzë me perspektivë në Kosovë. Ajo pavarësisht barrierave, sfidave e kushteve jo të mira ekonomike arriti të thyente akullin.

Goliqi sot është autore e katër librave të shkruara, por sipas saj ky është vetëm fillimi.

Këtë rrugëtim ajo e nisi në moshën 13-vjeçare, dhe si një fëmijë nga me kushte jo të mira financiare kishte shumë vështirësi për të botuar librat. Mirëpo lidhja e fort emocionale që e kishte me arsimtaren e shkollës fillore ia hapi rrugën për të shkruar libër për atë por edhe libra tjerë.

Në një intervistë për Telegrafin, ajo ka rrëfyer për rrugën e saj në shkrimin e librave, vështirësitë që ka hasur dhe lidhjen e saj të veçantë me librat e shkrimet.

Telegrafi: Kur keni filluar të merreni me shkrime?

M. Goliqi: Me shkrime kam filluar të kaloj kohë që nga klasa e shtatë, në moshën 13 vjeçare. Por, më me seriozitet kam filluar në klasën e nëntë, kur isha 15 vjeçare dhe kur fillova ta shkruaj librin tim të parë “Arsimtarja Meritë”.

Telegrafi: Sa libra keni botuar dhe çfarë tema trajtohen në këto libra?

M. Goliqi: Kam botuar katër libra, libri i parë “Arsimtarja Meritë”, libri i dytë “ Nëna”, libri i tretë “Fuqia e fjalës” si dhe Libri i katërt “Liria ka vepra”.
Libri i parë tregon se si një mësimdhënëse e gjeografisë, arsimtarja Meritë Pireva Hajdini u bë një shtyllë që unë të ndjehesha e njëjte me nxënësit e tjerë të klasës dhe pastaj ne kishim lidhje shumë të mira me të, mund të them lidhje “miqësore” edhe pse kishim një diferencë të lartë në moshë dhe në status. Kur ajo kishte pushim mjekësor në klasën e nëntë unë nuk duroja dot pa të, tek shokët nuk mund të rrëfehesha sepse më cilësonin si të ligë për mërzinë që kisha për të. Dhe e gjeta një shoqëri më të mirë, e cila ishte fleta-shkrimi, ku nuk më kundërshtoi për asgjë që unë i rrëfehesha.

Telegrafi: Si e kujtoni ditën kur e keni marrë në dorë kopjen e librit tuaj të parë?

M. Goliqi: Dita kur mora në dorë librin tim të parë të botuar është dita më e bukur e jetës sime dhe gjithmonë do të jetë e tillë. Atë ditë, qielli kishte një ngjyrë më të çiltër, dielli sikur gëzohej së bashku me mua duke lëshuar rreze të ngrohta dashurie, dhe ajo ditë më bëri ta dijë që asgjë nuk është e pamundur nëse ti vërtetë dëshiron të arrish diçka.

Telegrafi: Çfarë ju ka shtyrë të merreni me shkrime?

M. Goliqi: Për t’i shfaqur mendimet e mija të pa gabuara, tek diçka që nuk më kundërshton për asnjë arsye, më ka bërë që unë të shkruaj fillimisht, por, edhe talenti që e kam për poezi.

Telegrafi: Me çfarë vështirësi jeni përballur ju gjatë kohës sa jeni marrë me shkrime?

M. Goliqi: Vështirësitë kanë qenë nga më të ndryshmet, së pari kanë qenë mendimet e mija , sepse ndonjëherë pesimizmi ia ka kaluar fuqisë së optimizmit , por kjo ka qenë vetëm e çastit, dhe shkaku ka qenë vetëm kombësia etnike që unë kam. Pastaj vështirësi tjetër ka qenë që unë e kam ditë që me gjendjen ekonomike të familjes, pa pas ndonjë mbështetje nga dikush unë nuk do të mundja t’i botoja librat e mija. Por, jam tejet falënderuese për drejtoritë , organizatat dhe Odën Ekonomike Amerikane që më ka mbështetur për t’i botuar katër libra.

Telegrafi: Sa keni gjetur mbështetje nga institucionet shtetërore, komuna e Lipjanit ose institucionet tjera, a ju ka ndihmuar dikush për botimin e librave?

M. Goliqi: Kam një mbështetje jashtëzakonisht të madhe, më shumë se sa e kam menduar. Libri i parë është financuar nga drejtoria e kulturës në Lipjan. Libri i dytë është financuar nga një organizatë në Zvicër me pëlqim të nënkryetarit të dytë të komunës z. Lulzim Qerimi. Libri i tretë prapë nga drejtoria e kulturës në Lipjan dhe libri i fundit është financuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë.

Telegrafi: Mesazhi juaj për të rinjtë?

M. Goliqi: Mesazhi im për të gjithë ata të rinj që kanë ëndrra është që mos të ndalen se ndjekuri atë që e ëndërrojnë sepse vetëm kështu mund të realizosh ëndrrën tënde. /Fjolla Limani/Telegrafi/

Exit mobile version